Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumica qeverisëse nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për autorizimin e masave të reja ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për çështjen e pezullimit nga detyra.
Në podkastin “Flasim”, Rama theksoi se një shtet i së drejtës nuk duhet të kthehet në “shesh për karshillëk” mes pushteteve të pavarura dhe se drejtësia duhet të gjykojë, jo të veprojë me nxitim.
“Jam shumë kurioz pse prokurorët, që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar, ku gjykata më e lartë e vendit duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se në çdo vend ku drejtësia funksionon normalisht, do të pritej përfundimi i një procesi gjyqësor përpara se të kërkoheshin masa të tjera.
“Sepse shteti i së drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, theksoi kryeministri.
Rama deklaroi se, edhe në dritën e raporteve të ekspertëve të Këshillit të Europës dhe të Komisionit kundër Torturës, kërkesat e SPAK për masa të reja duhet të trajtohen me qetësi dhe analizë të thelluar, por vetëm pasi të jetë mbyllur procesi themelor në Gjykatën Kushtetuese.
“Sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që shumica qeverisëse dhe parlamentare ta shqyrtojë kërkesën e ngutur të prokurorëve për masa të reja ekstreme, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për masën e pezullimit”, përfundoi Rama.raka






