Punonjës të RTSH-së dhe bashkëpunëtorë të emisioneve të jashtme janë lënë pa pagesë për muaj të tërë, konkretisht që në prill 2025, pa asnjë sqarim zyrtar, pa afate dhe pa përgjegjësi nga drejtuesit e institucionit. Ndërkohë, në të njëjtën godinë dhe me të njëjtin buxhet publik, disa emisione paguhen rregullisht dhe me shifra marramendëse.
Radio Televizioni Shqiptar po përjeton një nga periudhat më të errëta në historinë e tij financiare dhe institucionale, ku padrejtësitë mes punonjësve janë kthyer në normë, ndërsa transparenca është zhdukur pothuajse plotësisht. Ndërkohë që dhjetëra punonjës të emisioneve të jashtme nuk kanë marrë pagat që prej prillit të vitit 2025, miliona lekë vijojnë të shpërndahen pa asnjë problem për disa emisione të caktuara dhe figura të privilegjuara.
Sipas denoncimeve të vazhdueshme të Pamfleti-t, punonjës të RTSH-së dhe bashkëpunëtorë të emisioneve të jashtme janë lënë pa pagesë për muaj të tërë, konkretisht që në prill 2025, pa asnjë sqarim zyrtar, pa afate dhe pa përgjegjësi nga drejtuesit e institucionit. Ndërkohë, në të njëjtën godinë dhe me të njëjtin buxhet publik, disa emisione paguhen rregullisht dhe me shifra marramendëse.
Sipas dokumentacionit financiar (preventivëve) që disponojmë, emisioni “Trialog” i moderuar nga Alba Alishani i kushton RTSH-së mbi 64 milionë lekë të vjetra për vetëm 6 muaj, ndërkohë që realizohet nga një staf prej vetëm katër personash. Një kosto që ngre pikëpyetje serioze për raportin mes shpenzimeve dhe përmbajtjes së prodhuar.
Po ashtu, emisioni “3D” i Alban Dudushit rezulton të ketë një kosto mbi 40 milionë lekë të vjetra për 6 muaj, me një staf prej 3 personash. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për pagesa të rregullta dhe të sigurta, në kontrast të plotë me trajtimin e punonjësve të tjerë që prej muajsh presin pagat e tyre.
Kjo situatë përforcon perceptimin se në RTSH nuk vlejnë profesionalizmi dhe barazia, por miqtë e fortë, lidhjet personale dhe interesat e ngushta. Kush i ka, paguhet pa vonesa; kush jo, lihet në harresë.
RTSH pa pasqyrë financiare për vitin 2024–2025
Situata bëhet edhe më alarmante nga fakti se RTSH nuk ka publikuar pasqyrën financiare për vitet 2024–2025, një detyrim ligjor dhe institucional që duhet të ishte përmbushur prej kohësh. Mungesa e kësaj pasqyre e kthen RTSH-në praktikisht në një institucion “privat”, ku paratë publike shpenzohen pa llogaridhënie dhe pa transparencë.
Më shqetësuese akoma është se edhe kur media ka kërkuar informacion zyrtar për shpenzimet, kontratat apo pagesat, RTSH ka refuzuar t’i vërë në dispozicion, duke shkelur hapur Kushtetutën, e cila garanton të drejtën e informimit.
Ndërkohë që punonjësit presin pagat e tyre prej muajsh, miliona lekë vijojnë të qarkullojnë për disa emra të përzgjedhur, duke e kthyer televizionin publik në simbol të pabarazisë, klientelizmit dhe mungesës së etikës institucionale./Pamfleti






