“Të shpenzojnë, por të mbajnë faturat”. Kristalina Georgieva, Drejtore Ekzekutive e FMN-së

Transparenca maksimale, llogaridhënia dhe saktësia e shifrave të buxhetit të shtetit, mund të ushtrojnë presion pozitiv për mirëqeverisje. Reduktimi i rrënjëve të korrupsionit dhe kapjes së shtetit ku humbasin miliarda lekë taksa dhe krijohen pengesa reale për një ekonomi konkurruese dhe vibrante, duhet të jetë prioritet i prioriteteve. Asnjë shifër e vetme borxhi nuk na tregon se sa shumë borxh publik është shumë, por ka nivele borxhi që ndezin dritën e kuqe të risqeve që rriten kërcënueshëm. Edhe shifrat tona të borxhit publik, 82-100 të GDP-së, e kanë ndezur dritën paralajmëruese se borxhi ynë publik, jo vetëm në raport me GDP-në, është më shumë se shumë.

Ne të gjithë jemi duke përjetuar lajme pozitive nga zbulimi dhe bërja… efektive e vaksinës. Midis shpëtimit të jetës dhe mbajtjes gjallë të ekonomisë, jeta mbeti prioritet i panegociueshëm. Covid19 vuri në test humanizmin e shoqërive tona. Bota manifestoi kohezion dhe solidaritet, çka do të ndikojë pozitivisht në përballje me kriza potenciale.

Ndryshe nga kriza financiare 2008, skemat e financimit për kostot shëndetësore, paketat e ndihmës për të varfrit, të papunët dhe bizneset në risk falimentimi, u bënë funksionale menjëherë. Koordinimi midis bankave qendrore, institucionet financiare ndërkombëtare dhe midis vendeve të BE-së e bënë të qartë shumë shpejt se nuk do të kishte mungesë të burimeve të financimit, edhe pse do të rritej ndjeshëm borxhi publik. Ai rezulton të jetë rritur gjatë Covid-19 me rreth 20% të GDP-së në nivel global.

Dinamika e rritjes së shpejtë të borxhit publik gjatë pandemisë shërben për të kuptuar se sa kërcënueshëm ai mund të rritet. Ndërsa ulja e borxhit publik do të jetë një rrugë më e vështirë dhe më e gjatë, ulja duhet të bazohet kryesisht te reformat strukturore dhe efektshmëria e investimeve publike, sesa te masat shtrënguese (austerity) të përdoruar gjatë krizës 208, çka përfshinte rritje të taksave dhe ulje të ndjeshme të përfitimeve nga mbrojtja sociale.

Lajmi i mirë i mposhtjes së Covid19 do të nxisë konsum dhe investim, çka do të ushqejë një rritje ekonomike më të lartë. Viti 2021 nuk do të jetë viti i nisjes së menjëhershme i konsolidimit fiskal, por kjo nuk përligj asnjë pakujdesi apo papërgjegjshmëri në madhësinë e huamarrjes së re dhe sidomos në përzgjedhjen e shpenzimeve dhe investimeve, për të cilat do të përdoret borxhi i ri.

Një komision ndërqeveritar për rritjen dhe zhvillimin përballë pasojave të krizës financiare 2008 gjeti se vendet që u bazuan tek investimet në kapitalin human dhe cilësinë e investimeve publike, patën rritje ekonomike të shëndetshme. Ato përmirësuan edhe treguesit e stabilitetit të financave publike dhe patën një pikënisje më të mirë në përballjen me pandeminë.

Jo vetëm sot bota ndodhet përballë rritjes së borxheve, edhe sepse politikanëve nuk u pëlqen të rrisin taksat për të rritur të ardhurat që ndihmojnë në uljen e deficitit dhe borxhit. Ata i tremben votës kundër të taksapaguesve.

Në kushtet e rritjes së borxheve dhe kostove të tyre, ky komision konkludoi se në qeveritë me histori të dobët të menaxhimit të financave publike, rritja e huamarrjes dhe shpenzimet joefektive pengojnë rritjen ekonomike, e cila është parakushti kryesor për kthimin dhe mbajtjen e stabilitetit të financave publike.

Në vendet me institucione të dobëta, edhe presioni i lartë për korrupsion dhe kapjen e shtetit, do të rrezikonte që borxhi i huazuar të rritet shpejt dhe të keqpërdoret lehtë. Kostoja e ulët e borxhit nuk do të jetë një “drekë falas” edhe për shumë kohë. Prandaj kërkohet më shumë transparencë dhe përgjegjësi për çdo qindarkë të huazuar dhe të shpenzuar.

Borxhi nuk duhet konsideruar gjithnjë si një e keqe, por as edhe si shkopi magjik për situatat e vështira të ekonomisë dhe financimit të saj. Pa burime financimi më të mëdha sesa thjesht taksat e mbledhura, do të ishte shumë e vështirë të përmirësohen kolonat e rritjes ekonomike të shëndetshme, që janë kapitali human dhe infrastruktura e zhvillimit. Duke u ofruar taksapaguesve shërbime publike me cilësi më të mirë për jetën e tyre dhe siguri për të ardhmen, individët dhe biznesi do të nxiten të konsumojnë dhe investojnë më shumë duke ndihmuar ringritjen e ekonomisë dhe stabilitet të financave publike.

Rritja e borxhit në nivele kritike imponon strategji afatmesme të uljes graduale të tij pa kaluar në politika shtrënguese/austeriteti, ku imponohen rritje të taksave dhe reduktim i shpenzimeve, sidomos i shpenzimeve për mbrojtjen sociale, arsim dhe shëndetësi.

Megjithëse janë bërë shumë përpjekje studimore për të identifikuar një nivel tavan borxhi të pranueshëm për vende të ndryshme në raport me GDP-në, sërish ka një konsensus më të gjerë se vendet duhet të kenë një set parimesh, rregullash dhe një strategji kombëtare të menaxhimit të financave publike për përmirësimin e raportit të borxhit publik ndaj GDP-së.

Një aspekt kritik i kësaj strategjie kombëtare është borxhi i jashtëm, i cili ka një risk më të madh në vendet me deficite të mëdha. Menaxhimi i borxhit të jashtëm është më i vështirë dhe për shkak të goditjeve të jashtme të kursit të këmbimit.

Paralajmërimet se pas Covid-19 do të vijë një moment ku qeveritë duhet të angazhohen për rikthimin e stabilitetit financiar, duket se po afron. Viti 2021 do t’i ballafaqojë qeveritë me strategjitë e reduktimit të borxhit publik dhe kostove të tij, të cilat (nuk) mund të qëndrojnë gjatë kaq të ulëta.

Edhe vendi ynë në 2021 do të përballet me nisjen e një plani afatmesëm të stabilitetit të financave publike me objektiv të matshëm, që në një periudhë afatmesme të ulë nivelin e borxhit publik.

Strategjia e suksesshme kërkon eliminimin e çdo pengese për punë dhe biznes dhe çlirimi i çdo energjie pozitive për rritje ekonomike sa më të lartë dhe të qëndrueshme. Një rritje ekonomike më e lartë bashkë me reformat kundër informalitetit, mund të çlirojë më shumë të ardhura të qëndrueshme, të cilat mund të përdoren për të ulur deficitin primar pa rritur taksat.

Rishikimi i kujdesshëm i çdo shpenzimi dhe investimi publik për rritjen ekonomike të shëndetshme lehtëson rikthimin e stabilitetit të financave publike. Bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare në hartimin dhe implementimin e strategjisë së stabilitetit të financave publike është i domosdoshëm.

Transparenca maksimale, llogaridhënia dhe saktësia e shifrave të buxhetit të shtetit, mund të ushtrojnë presion pozitiv për mirëqeverisje. Reduktimi i rrënjëve të korrupsionit dhe kapjes së shtetit ku humbasin miliarda lekë taksa dhe krijohen pengesa reale për një ekonomi konkurruese dhe vibrante, duhet të jetë prioritet i prioriteteve.

Asnjë shifër e vetme borxhi nuk na tregon se sa shumë borxh publik është shumë, por ka nivele borxhi që ndezin dritën e kuqe të risqeve që rriten kërcënueshëm. Edhe shifrat tona të borxhit publik, 82-100 të GDP-së, e kanë ndezur dritën paralajmëruese se borxhi ynë publik, jo vetëm në raport me GDP-në, është më shumë se shumë.