Numri i automjeteve në Shqipëri ka kaluar për herë të parë shifrën e 1 milionit në vitin 2025, me rreth 1,047,000 mjete të regjistruara, ku mbi 80% janë autovetura. Megjithatë, në raport me popullsinë vendi mbetet ende ndër më të fundit në Europë për numrin e makinave për banorë.
Sipas përllogaritjeve mbi të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe Censit 2023, bashkia me numrin më të lartë të mjeteve për banorë është Saranda, me rreth 716 automjete për 1000 banorë.
Në vendin e dytë renditet Durrësi me 584 mjete për 1000 banorë, ndërsa i treti është Kurbini me 557. Lista vijon me Vlorën, që ka rreth 551 mjete për 1000 banorë.
Pavarësisht trafikut të rënduar, Tirana renditet vetëm në vendin e pestë, me rreth 533 automjete për 1000 banorë.
Ndërkohë, bashkitë me numrin më të ulët të mjeteve për banorë janë Berati, Dibra, Përmeti dhe Pogradeci, me më pak se 300 automjete për 1000 banorë.






