Vlera rreth 3 milionë euro
Dhjetëra shishe verë luksoze pa pullë fiskale, me një vlerë të përllogaritur rreth 3 milionë euro, janë sekuestruar në banesën e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se rrëmbente biznesmenë dhe, përmes dhunës, i detyronte ata të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHI-t.
Burime hetimore bëjnë me dije se koleksioni i verërave është konstatuar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët kanë njoftuar menjëherë prokurorin e çështjes. Me urdhër të tij, është vendosur sekuestrimi i menjëhershëm, ndërsa është informuar edhe Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e shisheve për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie të detyrimeve tatimore.
Sipas burimeve, çmimi i një shisheje varionte nga 7 deri në 10 mijë euro, ndërsa bëhej fjalë për verëra të rralla dhe të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. Gjatë veprimeve hetimore, është konstatuar edhe një tentativë për ndërrimin e shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi koleksioni ishte fotografuar dhe dokumentuar më herët në mënyrë të detajuar nga grupi hetimor.
Koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme për të përcaktuar burimin e ligjshëm të pasurisë dhe lidhjen e mundshme me aktivitetin e dyshuar kriminal.
Ndërkohë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, vijojnë të jenë në kërkim, pasi ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre nga autoritetet.
Në të njëjtin procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv/drejtoreshën e AKSHI-t. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave për ndryshim mase, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të manipulimit të tenderave.






