Naim Noka
Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të Prokurorisë së Posaçme nuk është thjesht një rotacion institucional. Është momenti kur drejtësia shqiptare hyn në një fazë të re përballjeje me një pushtet të konsoliduar, agresiv dhe të aftë të deformojë çdo institucion që nuk i bindet logjikës së tij.
Dhe ky pushtet ka një emër: “LUBI”-ja politike Rama–Balluku, një mekanizëm i përqendruar influencash, interesash ekonomike dhe kontrolli absolut mbi shtetin.
Braho u votua me 7 vota në një proces që, paradoksalisht, u shoqërua me ndryshimin e fshehtë të rregullores vetëm pak orë para votimit. Një sinjal i qartë se gara nuk ishte pa presione, se beteja për kreun e SPAK ishte një ndeshje e drejtpërdrejtë mes dy boshtesh të mëdhenj: atij euro-atlantik që kërkon forcimin e institucioneve dhe atij vendor që po tenton t’i kthejë sërish në instrumente shërbimi.
Sfida që fillon tani nuk është zgjedhja por mbijetesa.
1. Përballja me korrupsionin e lartë
Braho merr drejtimin e një institucioni që ka hapur plagët më të mëdha të pushtetit: tenderat e inceneratorëve, fijet e krimit ekonomik që lidhen me ministritë, aferat energjetike, shëndetësinë, urbanistikën dhe sidomos me skandale që prekin drejtpërdrejt figurat më të afërta të qeverisë.
Në krye të listës është dyshja Rama–Balluku, kjo e fundit e pezulluat me vendim të GJKKO. Dyshja akuzohet prej vitesh si qendra e vendimmarrjeve më të errëta të qeverisë.
Drejtuesi i ri i SPAK nuk do të gjykohet nga fjalët, por nga aftësia për të çuar deri në fund dosjet që kanë tronditur opinionin publik, pavarësisht se kush preket.
2. Tentativa e kapjes së SPAK
SPAK është institucioni i vetëm që nuk është nën kontroll të plotë të pushtetit. Kjo e bën atë objektiv politik. Ndryshimi i rregullores për votimin e kreut ishte një sinjal alarmi: pushteti nuk pranon neutralitet; kërkon të sigurojë “bindjen”, ose të paktën dobësimin e një figure që mund të rrezikojë interesat e tij.
Braho duhet të provojë që nuk është pjesë e kompromisit, por i mbrojtur vetëm nga ligji dhe nga pritshmëria e shqiptarëve.
3. Trashëgimia e Altin Dumanit
Dumani la pas një institucion që nisi goditjet më të mëdha në historinë e drejtësisë ndaj pushtetarëve dhe oligarkëve. Standardi është i lartë dhe publiku pret më shumë, jo më pak.
Braho duhet të tregojë që nuk vjen për të mbyllur cikle hetimore, por për t’i çuar ato përpara me intensitet edhe më të fortë.
4. ‘LUBI” Rama–Balluku: sfida e drejtpërdrejtë
Në gjithë dosjet e mëdha të korrupsionit, fijet shkojnë drejt dyshes më të fuqishme të qeverisë.
Nëse SPAK nën drejtimin e Brahos do të ketë guxim të hyjë në terrenin ku preken interesat më të larta të pushtetit, Shqipëria do ta ndjejë realisht se reforma në drejtësi ka funksionuar.
Nëse jo, atëherë kjo do të jetë vetëm një periudhë tranzitore që përgatit rikthimin e kontrollit të vjetër politik mbi drejtësinë.
5. Mandati që do të përcaktojë dekadën
Braho nis detyrën më 19 dhjetor. Tre vitet që ka përpara janë vendimtare:
ose SPAK konsolidohet si institucion i pakorruptueshëm,
ose përfshihet nga tërheqja gravitacionale e “LUBI”-s së pushtetit që përtyp çdo gjë që nuk i bindet. Mandati i Brahos do të përcaktojë edhe fatin e opozitës, pasi Berisha dhe disa dosje presin gjykatën. Ndoshta nuk do të jetë ogur i mirë për opozitën tashmë zyrtarisht e akuzuar thuajse e tëra nga SPAK.
Shqipëria nuk ka më luksin e drejtuesve që përkulen.
Braho ka para vetes një sfidë historike: të tregojë se drejtësia nuk është pronë e qeverisë, por e qytetarëve.






