Tre vitet e fundit kanë qenë vendimtare për rrugëtimin e Daniel Shima, ish-nëndrejtor i AKSHI. Nga hetimet e nisura nga SPAK, dyshimet për ndërhyrje në procedura tenderimi, largimi nga detyra dhe më pas zhdukja nga vëmendja publike, historia e tij shoqërohet me një tjetër zhvillim paralel: shfaqjen e një rrjeti kompanish të lidhura me familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt. Duket se grupi i Mirlinda Karçanit, Ermal  Beqirajt dhe Ergys Agsait po i nxjerrin të palarat e Danil Shimës.

Sipas dokumenteve të raportuara nga Vox News, persona pa eksperiencë të mëparshme biznesi dhe me të ardhura modeste rezultojnë brenda pak vitesh pronarë apo administratorë kompanish me xhiro të konsiderueshme dhe investime në pasuri të paluajtshme në disa qytete të vendit.

Nga administratë shtetërore në biznes privat

Në vitin 2024, menjëherë pas largimit nga AKSHI, Shima themeloi kompaninë Digital Euphoria, me objekt veprimtarie konsulencë dhe marketing. Fusha të tilla konsiderohen me risk të lartë për pastrim parash nga ekspertët e hetimeve financiare, për shkak të vështirësisë në verifikimin e shërbimeve reale dhe qarkullimit të faturave.

Më pas, kjo kompani rezulton pronare e një subjekti tjetër, Blitz Facility Management, e regjistruar me aktivitet në shërbime mirëmbajtjeje, përfshirë lavazh dhe dezinfektim.

Lidhjet me rrethin shoqëror

Në të njëjtën periudhë, në qendër të vëmendjes dalin edhe emrat e Sokol Përllaku dhe Redvin Marku, të cilët sipas të dhënave të publikuara kanë krijuar disa kompani në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve, me qarkullime të larta financiare dhe investime në prona.

Emri i Markut përmendet si pikë lidhëse mes tyre dhe vetë Shimës, pasi ai rezulton administrator në struktura të ndryshme biznesi që lidhen me këtë rreth.

Roli i familjarëve

Në vitin 2023, gjatë kohës kur Shima ishte ende në funksion publik, kushëriri i tij i parë, Marin Shpata, hapi kompaninë E‑Lava, me aktivitet në lavazhe automjetesh. Ky lloj biznesi konsiderohet shpesh me risk për qarkullime fiktive, pasi të ardhurat në para cash janë të vështira për t’u verifikuar në terren.

Elementi që ngre pikëpyetje është fakti se “E-Lava” dhe “Blitz Facility Management” rezultojnë me të njëjtën adresë të deklaruar në regjistrat e biznesit. Për më tepër, objekti i veprimtarisë së “Blitz” përputhet me sektorin ku operon kompania e kushëririt.

Zgjerimi i aktiviteteve

Burime të tjera tregojnë se rrjeti i bizneseve nuk ndalet këtu. Përmenden përfshirje të familjarëve të tjerë të afërt të Shimës në subjekte të reja tregtare, si edhe investime në sektorin e restoranteve dhe pasurive të paluajtshme në zona me vlerë të lartë tregu, përfshirë periferinë elitare të Tiranës.

Pista që mbetet për hetim

Ekspertët e hetimeve financiare theksojnë se në raste të tilla, gjurmimi i fluksit të parave është thelbësor. Roli i BKH do të ishte verifikimi i burimit të kapitalit fillestar, transaksioneve ndërmjet kompanive të lidhura dhe përputhjes mes të ardhurave të deklaruara dhe investimeve reale.

Deri tani nuk ka një akuzë të formës së prerë publike që lidh drejtpërdrejt këto biznese me fonde të përfituara në mënyrë të paligjshme, por përputhja e emrave, adresave dhe llojit të aktiviteteve krijon një skemë që kërkon hetim të thelluar financiar dhe pasuror.

Çështja e Daniel Shimës duket se nuk lidhet vetëm me vendimmarrje administrative në kohën kur drejtonte në AKSHI, por me atë që ndodhi më pas — një zgjerim i shpejtë i aktivitetit privat brenda një rrethi të ngushtë familjar e shoqëror, me investime që tejkalojnë ndjeshëm profilin ekonomik të njohur më parë.