Në Shqipëri drejtësia po perceptohet gjithnjë e më shumë si një sistem me dy shpejtësi. Një drejtësi e shpejtë, spektakolare dhe me kamera përballë krimit të vogël, dhe një drejtësi e ngadaltë, e kujdesshme dhe pothuajse e padukshme sapo çështjet afrohen pranë pushtetit dhe projekteve të mëdha financiare.
Institucioni që simbolizon këtë kontrast është SPAK. Operacionet kundër krimit të rrugës apo figurave periferike të botës së krimit shoqërohen shpesh me deklarata të forta dhe statistika arrestimesh. Por sapo diskutimi kalon te aferat e mëdha ekonomike apo projektet strategjike të shtetit, heshtja bëhet më e theksuar se veprimi.
Një nga rastet që po ngre sot më shumë pikëpyetje është projekti i Portit të Ri të Durrësit, një investim që përflitet se mund të arrijë rreth 400 milionë euro. Për një projekt me përmasa të tilla, qytetarët shtrojnë një pyetje të thjeshtë: a po hetohet dhe verifikohet me të njëjtin standard si çdo shkelje tjetër në vend?
Debati është përforcuar edhe nga reagimi publik i ish-deputetit socialist Arben Malaj, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të ndalojë shpalljen e fituesit për projektin e Portit të Ri të Durrësit, duke paralajmëruar për rreziqe serioze ekonomike dhe të sigurisë kombëtare.
Sipas Malajt, dorëzimi i ndërtimit dhe menaxhimit të portit më strategjik të vendit tek një kompani pa transparencë të plotë mbi pronarin përfitues mund të përbëjë një kërcënim serioz për interesat kombëtare. Ai paralajmëron se Shqipëria rrezikon të përballet me skenarë që lidhen me diplomacinë e borxhit, me bllokimin e projekteve strategjike si Korridori VIII dhe me një formë të re të kapjes së shtetit përmes projekteve infrastrukturore.
Jacques Attali: “Kush kontrollon portet, kontrollon rrjedhën e botës”, shkruan Attali, duke nënvizuar se portet nuk janë thjesht infrastruktura ekonomike, por instrumente strategjike të fuqisë dhe ndikimit.
Pikërisht për këtë arsye, Malaj paralajmëron se transformimi apo dobësimi i një porti strategjik për interesa të ngushta ekonomike apo projekte imobiliare mund të ketë pasoja të pakthyeshme për zhvillimin e vendit.
Ai kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe verifikim të plotë të investimit, duke përfshirë strukturat e inteligjencës shqiptare dhe mekanizmat e kontrollit të investimeve të huaja, për të garantuar transparencë dhe siguri strategjike.
Por përtej debatit mbi një projekt të vetëm, problemi është shumë më i thellë. Është problemi i besimit publik tek drejtësia.
Kur qytetarët shohin që krimi i vogël ndëshkohet shpejt ndërsa aferat e mëdha mbeten të paqarta, lind dyshimi se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë. Filozofia e vjetër e përshkruan këtë realitet me një metaforë të thjeshtë: ligji është si rrjeta e merimangës, kap mizat e vogla, ndërsa grerëzat e mëdha e shqyejnë.
Shqiptarët nuk kërkojnë vetëm statistika arrestimesh. Ata kërkojnë barazi para ligjit. Sepse drejtësia nuk matet me numrin e prangave ndaj atyre që nuk kanë mbrojtje politike, por me guximin për të hetuar ata që kanë pushtet, ndikim dhe para.
Besimi tek drejtësia ndërtohet vetëm kur ligji troket edhe në dyert e blinduara të pushtetit.






