
Nga Naim Noka / Publik Media/
Vetëm një ditë na ndan nga fundi i vitit 2025, një vit që në Shqipëri u jetua si tranzicion, me tensione politike, ekonomike dhe institucionale. Ishte një vit ku pushteti i Edi Ramës u përpoq të projektonte stabilitet, ndërsa realiteti prodhoi pasiguri; një vit ku shifrat makroekonomike u përdorën si mburojë propagandistike, ndërsa shoqëria përjetoi lodhje, frikë dhe polarizim.
Në planin politik, 2025-a, me zgjedhjet parlamentare të majit, shënoi konsolidimin në perfeksion të modelit vertikal të qeverisjes nga Edi Rama, të centralizuar rreth grupeve kriminale të Ergys Agasit dhe Pojave në Durrës, si dhe Suel Çelës në Elbasan.
Parlamenti i ri u bë sinonim i Zegjinesë, me 83 deputetë të emëruar përmes votës së blerë dhe administratës së detyruar patronazhiste, funksionoi si zgjatim i rëndomtë i ekzekutivit dhe aspak si institucion kontrolli.
Opozita rakitike e Berishës dhe e partickave, zunë një cep të ringut, duke pritur të sigurt humbjen, me figura të cikluara dhe ricikluara, që jo vetëm nuk ngjallën shpresë, por nuk ndezën dot as zjarrin e votuesve të raskapitur nga 12 vite qeverisje skandaloze e Ramës.
Dosjet e SPAK-ut ndaj Belinda Ballukut dhe AKSHI-t treguan maskaradën lakuriqe të binomit bandë–pushtet, që për vite me radhë kanë bërë kërdinë me fondet publike. Videot me përgjime të koordinatorit Ergys Agasi të bandave dhe vetë kryeministrit Rama janë skaneri që tregon me zë dhe figurë bandën që ka në dorë financat dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Nuk është rastësi që amerikanët po mbështesin kreun e ri të SPAK-ut, Klodian Braho, për të goditur me themel të gjithë bandën që ka ricikluar dhe pastruar miliarda euro nga droga, fondet publike të vjedhura dhe korrupsioni. Goditja duket se do të nisë fillimisht me bashkëpunëtorët e tij më të afërt në korrupsion dhe në krim, ndërsa finalja është vetë fati politik dhe penal i Edi Ramës. Arrestime pritet të ndodhin shumë afër zyrës së kryeministrit.
Pushteti lokal, prej dy mandatesh, qeveriset nga ushtarë patronazhistë, të cilët kanë funksionuar si zgjatim i bandës qendrore, duke zhvatur gjithçka që mbetej pasi pjesa e luanit përfitonte nga qendra. Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, një prototip i vjedhjes dhe abuzimit me fondet publike, thuajse të gjitha bashkitë kanë drejtuesit ose me dosje në hetim, ose të proceduara penalisht.
Konflikti i hapur me drejtësinë – veçanërisht me SPAK-un – shënoi një nga zhvillimet më të rënda institucionale të vitit. Gjykata Kushtetuese ndodhet në sprovë historike: ose do të mbështesë kryeministrin në mbrojtje të së pandehurës Balluku, ose do të lejojë SPAK-un dhe gjykatat të bëjnë drejtësi.
Ndërkohë, mali i dosjeve në Gjykatën e Apelit po shkon rreth 150 mijë. E gjithë vëmendja është përqendruar te SPAK dhe GJKKO, por marrja e drejtësisë në shkallët e tjera të prokurorisë dhe gjykatave civile mbetet një utopi për qytetarët.
Nga ana ekonomike, viti u mbyll me retorikë optimiste për rritje ekonomike, turizëm rekord dhe investime strategjike. Por pas statistikave qëndroi një realitet i i hidhur:
• Kosto jetese që njeh vetëm rritje, veçanërisht për ushqimet, energjinë dhe qiranë
• Pagë reale e gërryer nga inflacioni, pavarësisht rritjeve nominale
• Ekonomi e varur nga ndërtimi dhe turizmi, sektorë që prodhojnë qarkullim, por jo siguri afatgjatë.
Euro ka njohur vetëm rënie, duke goditur eksportuesit dhe duke deformuar më tej balancat ekonomike.
Ndërtimi vazhdoi të jetë motori kryesor i qarkullimit të parasë, por edhe hija më e errët e ekonomisë, për shkak të të pastrimt të parave kriminale, klientelizëm dhe deformim të tregut. Shtresa e mesme u shtrydh, ndërsa pabarazia mes qytetarëve u thellua.
Në plan shoqëror, 2025-a ishte viti i largimeve të heshtura. Emigrimi vazhdoi jo si valë dramatike, por si rrjedhë konstante e të rinjve dhe profesionistëve që nuk presin më ndonjë ndryshim këtu. Besimi te politika, te institucionet dhe te e ardhmja kolektive ishte katran me bojë.
Shoqëria u polarizua mes një pakice që përfiton nga afërsia me pushtetin dhe korrupsioni dhe një shumice që mbijeton, informohet, zemërohet, por nuk reagon edhe nëse brenda javës, skandali i qeverisë i zinte vendin një skandal më madh.
Media, në pjesën dërrmuese, u shndërrua në instrument mbulimi dhe propagande të bandës së pushtetit, jo të zbulimit dhe informimit. Reklamat publike dhe dhe oligarkëve me porosi dhe urdhër nga lart , kontratat dhe koncensionet per pronarët e mediave që kanë licensa kombëtare, krijuan një ambient ku e vërteta u relativizua dhe kritika u fragmentua.
Mediat kombëtare dhe lokale funksionuan në sinkron për të përhapur propagandë dhe shplarje truri. Në këtë terren, rrjetet sociale u bënë tribunë alternative për pak figura me integritet, por edhe burim kaosi informativ.
Viti 2025 nuk ishte vit shprese. Ishte vit zhveshjeje nga iluzionet. Shqipëria po hyn në vitin 2026 e dërrmuar dhe e lodhur, pa shenja jete të një shoqërie me vetëdije dhe ndërgjegje qytetare. Pas tre ditësh pa ujë, qytetarët e Vlorës, që votojnë masivisht Rilindjen e Ramës, më në fund morën bidonët dhe protestuan.
Dhe ndoshta ky është bilanci më i sinqertë i një viti që po mbyllet:
një vend që funksionon për inerci, i mplakur, pa demokraci, që hyn në vitin e ri me të njëjtët aktorë politikë “legjendarë”, ku as mendohet e as flitet për të ardhmen, por jetohet nën hijen e së tashmes.
Na bëftë mirë mishi i gjelit të detit dhe bakllavaja.
Gëzuar, dhe Zoti pastë mëshirë për Shqipërinë tonë.
Një urim i veçantë për të gjithë bashkëpunëtorët në institucione e shtetit që kanë qenë reporterë fantastikë për Publik.al, si dhe për stafin tonë të mrekullueshëm. Falë tyre dhe besimit të lexuesve, Publik Media kaloi në një nivel tjetër.
Viti i Ri na gjen me zë dhe figurë, live. Gëzuar dhe përqafime të gjithëve! #publikmedia #NaimNoka #Gezuar2926






