Baza e NATO-s “e mori në qafë”

Një tjetër problem me faturimin e energjisë elektrike është denoncuar nga një qytetar nga Berati rezulton debitor për një banesë që nuk ekziston më prej vitesh.

Bëhet fjalë për Jorgo Bacin, banor i fshatit Moravë në Berat, i cili tregon se në vitin 2023 shtëpia e tij trekatëshe u shemb nga shteti për shkak të zgjerimit të Aeroporti Ushtarak i Kuçovës, projekt ku u vendos edhe një bazë e NATO. Për pronën e prishur ai mori një dëmshpërblim prej rreth 6 milionë lekësh.

Sipas tij, në momentin që banesa u demontua në shkurt të vitit 2023, punonjësit e OSHEE hoqën edhe matësin e energjisë elektrike. Deri në atë moment, ai thotë se nuk kishte asnjë detyrim të papaguar. Më pas, qytetari iu drejtua zyrave të OSHEE në Berat për të mbyllur kontratën e energjisë. Në dokumentin përkatës shkruhej se kontrata mbyllej për arsye “investim i NATO-s”.

Duke menduar se gjithçka ishte mbyllur, familja e tij vazhdoi jetën normalisht. Me paratë e marra nga dëmshpërblimi, ata blenë një apartament në qytetin e Beratit dhe Jorgo vendosi të kalonte kontratën e energjisë në emrin e tij. Pikërisht në atë moment mësoi se rezultonte debitor për kontratën e vjetër të banesës në Moravë.

Punonjësit e OSHEE-së i shpjeguan se kontrata nuk ishte mbyllur në shkurt 2023, por në nëntor të po atij viti. Sipas tyre, gjatë kësaj periudhe ishin krijuar detyrime që ai duhej t’i paguante. Qytetari u shpreh i indinjuar, duke theksuar se shtëpia ishte prishur nga shteti dhe nuk kishte si të konsumonte energji.

Ai pretendon se është paraqitur disa herë në zyrat e OSHEE në Berat, por nuk ka mundur të bëjë as ankesë, pasi sistemi nuk e lejonte. “Shteti ka detyrime ndaj meje dhe jo unë ndaj tyre. Edhe sikur të jetë një qindarkë, pse duhet ta paguaj?”, tha ai gjatë denoncimit.

Pas publikimit të rastit, gazetarët e Fiks Fare shkuan së bashku me qytetarin në zyrat e OSHEE në Berat, ku takuan përgjegjësin e shitjeve, Kozma Pushi. Pas disa telefonatash me drejtuesit lokalë dhe zyrat qendrore në Tiranë, ai deklaroi se ishte marrë miratimi për të zgjidhur çështjen.

Sipas tij, qytetari do të paraqiste fillimisht një ankesë zyrtare dhe më pas detyrimi do të verifikohej për t’u zeruar. Ai pranoi se vonesat burokratike në procedurat e mbylljes së kontratës – që kalojnë në disa hallka administrative – kishin krijuar këtë situatë.

Në fund, qytetari paraqiti kërkesën në pikën e kujdesit ndaj klientit dhe falënderoi publikisht emisionin investigativ që ndërhyri për të zhbllokuar rastin dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes së problemit.