Shkarkimi nga detyra i ish-drejtoreshës së Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, erdhi në një moment kur pozitat e saj juridike ishin rënduar ndjeshëm nga hetimet e SPAK për abuzime të dyshuara me tendera publikë në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, dyshohet se ka qenë pjesë e një skeme manipulimi tenderash, ku – sipas hetimeve – kriteret teknike përgatiteshin në mënyrë të tillë që kontratat të përfitoheshin nga kompani të lidhura me biznesmenin Ermal Beqiri.

Një rol kyç në zhvillimet e fundit duket se ka luajtur dëshmia e ish-vartësit të saj, Daniel Shima. Shima u largua nga detyra menjëherë pasi u thirr për herë të parë në prokurori dhe, sipas burimeve hetimore, ka dhënë detaje që konsiderohen thelbësore për zbërthimin e mekanizmit të vendimmarrjes në AKSHI.

Sipas deklarimeve të tij, ekzistonte një strukturë e centralizuar vendimmarrjeje, ku drejtuesja orientonte proceset me qëllim favorizimin e operatorëve të caktuar. Këto dëshmi, të kombinuara me dokumente të sekuestruara në serverë dhe materiale të brendshme të institucionit, kanë rënduar ndjeshëm pozitën e ish-drejtoreshës dhe personave të tjerë nën hetim.

Në dosjen hetimore përfshihet edhe një transaksion financiar i dyshuar për blerjen e një automjeti me vlerë rreth 39 mijë euro. Sipas hetuesve, automjeti është blerë përmes subjekteve të lidhura me persona nën hetim dhe rezulton në përdorim të familjarëve të Karçanajt – element që po verifikohet për të përcaktuar nëse përbën përfitim të paligjshëm.

Hetimet vijojnë, ndërsa dosja e AKSHI-t mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në sektorin e prokurimeve publike digjitale.