Si u dha me ankand fiktiv 60 hektarë tokë publike në Nivicë-Kakome për park fotovoltaik, me afat 7 ditë, qira qesharake dhe ortakëri të fshehtë të kryebashkiakut të Sarandës…
Ankandi i shpallur nga Oltion Çaçi për Parkun Fotovoltaik të Kakomesë konfirmon skemën e denoncuar nga Pamfleti. Tokë publike u dha pa garë reale, me procedurë të përshpejtuar dhe përfitues me precedentë penalë. Informacione të mbërritura në Pamfleti tregojnë se kryebashkiaku i Sarandës përfiton 25 për qind të aksioneve në këtë biznes energjie…
Edhe Parku i Energjisë Fotovoltaike në Kakome konfirmon denoncimet e bëra nga Pamfleti, se Edi Rama, përmes një botuesi gazete, e katapultoi Oltion Çaçin nga menaxher hotelesh në Durrës në krye të Bashkisë së Sarandës, me qëllim firmosjen e pazareve dhe zhvatur pasuri publike e miliona euro për interesat e tyre personale.
Më 1 shtator 2025, kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi, shpalli një ankand të përshpejtuar, me vetëm 7 ditë afat, për dhënien në përdorim të 60 hektarëve tokë kullotë në zonën Heremec, pjesë e bregdetit Nivicë-Kakome, për ndërtimin e një parku energjie fotovoltaike.
Në dokumentacion, procedura u paraqit si ankand i rregullt. Ligji për koncesione dhe përdorim tokash publike parashikon afat minimal 45 ditë për dorëzimin e dokumenteve dhe pjesëmarrjen e të paktën tre subjekteve në garë. Oltion Çaçi e zhvilloi ankandin pas vetëm 7 ditësh dhe e mbylli atë në mënyrë fiktive, me një pjesëmarrës të vetëm, kompaninë “Park Sol Energy” sh.p.k. nga Lushnja.

Kontrata parashikon dhënien e tokës në përdorim për 10 vite, me qira 17 lekë për metër katror në vit, një vlerë qesharake për tokë bregdetare dhe për një biznes energjie me fitime të larta të garantuara.
Pronarë të kompanisë “Park Sol Energy” sh.p.k., që përfitoi 60 hektarë tokë publike në Kakome, rezultojnë Paqësor Buzi dhe Agim Xhindoli, ndërtues me precedentë penalë për mashtrime fiskale dhe përfitues të vazhdueshëm tenderësh e lejesh ndërtimi nga qeveria e Edi Ramës. Ky fakt tregon qartë se kemi të bëjmë me një pazar të parapërgatitur.
Një raport i SHISH, i përcjellë organeve të hetimit, zbulon se në këtë grabitje të pasurisë publike, kryebashkiaku Oltion Çaçi nuk ka vepruar vetëm si zbatues i një urdhri politik, por edhe si përfitues direkt.
Sipas informacionit të mbërritur në Pamfleti, Oltion Çaçi rezulton ortak ilegal me 25 për qind të aksioneve në këtë park energjetik fotovoltaik, në bashkëpunim me Paqësor Buzin dhe Agim Xhindolin, të cilët ai i shpalli fitues përmes një ankandi pa garë reale.

Përfitimi i 25 për qind të aksioneve shpjegon edhe motivin pse Oltion Çaçi firmosi procedura dhe dokumente fiktive, duke e paraqitur projektin si zhvillim ekonomik për banorët e zonës. Në realitet, kemi të bëjmë me një pazar privat energjie, që u shitet banorëve të Nivicës si interes publik, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fitimit përfundon në xhepat e kryebashkiakut dhe klientëve të Edi Ramës.
Fillimisht, Oltion Çaçi firmosi dhënien e 175 hektarëve tokë publike. Pas protestave të banorëve të Nivicës, sipërfaqja u reduktua në 60 hektarë, të cilat përfunduan sërish në duart e Paqësor Buzit, Agim Xhindolit dhe vetë kryebashkiakut të Sarandës.
Ky rast përbën grabitje të organizuar të pasurisë së shtetit dhe të banorëve, përmes mashtrimeve, falsifikimeve, procedurave fiktive, ankandeve të rreme dhe korrupsionit të drejtpërdrejtë.
Kemi të bëjmë me krim ekonomik, objekt hetimi për SPAK, pa përjashtuar edhe aferat e tjera që Oltion Çaçi ka realizuar përmes tenderëve, taksave lokale, lejeve të ndërtimit dhe kontratave të qirasë me pasuritë publike./Pamfleti






