Punëtori qëndroi mbi 2 muaj në koma
Një denoncim i transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” ka hedhur dritë mbi një aksident të rëndë të ndodhur në një zonë naftëmbajtëse në Marinzë, ku një punëtor mbeti i plagosur rëndë dhe qëndroi për më shumë se dy muaj në gjendje kome. Rasti ngre dyshime për tentativa për fshehjen e ngjarjes dhe zvarritje të hetimeve.
Ngjarja daton në 24 shtator 2025 dhe ka ndodhur në zonën e njohur si Padi D, brenda një territori të administruar nga kompania koncesionare “Bankers Petroleum”. I plagosur mbeti Llazar Kumaraku, banor i Marinzës, i cili punonte për një kompani nënkontraktore që ofron shërbime për puset e naftës.

Sipas dëshmisë së tij, në momentin e aksidentit ai po përgatiste një motor për transport, duke lidhur pajisjen me zinxhirë dhe vinç. Ai pretendon se drejtuesi i vinçit ka kryer një manovrim të gabuar, duke bërë që pjesa e sipërme e mjetit ta godasë rëndë në kokë dhe trup.
Si pasojë e goditjes, Kumaraku pësoi dëmtime të rënda në kokë, brinjë dhe trup. Fillimisht u dërgua në spitalin e Fierit dhe më pas në Tiranë, ku qëndroi në gjendje kome për rreth dy muaj e gjysmë. Edhe sot ai vijon trajtimin mjekësor dhe fizioterapinë.
Pavarësisht seriozitetit të ngjarjes, ai deklaron se ende nuk është marrë në pyetje nga organet hetimore. Sipas tij, shoferi i vinçit dhe kompania për të cilën punonin vijojnë aktivitetin normalisht.

Nga dokumentet hetimore rezulton se aksidenti ka ndodhur gjatë procesit të punës, kur teleskopi i vinçit të montuar në një kamion është shembur, duke e goditur punëtorin. Mjeti është sekuestruar dhe janë marrë disa dokumente teknike për kontrollin dhe mirëmbajtjen e tij, por ende nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për defekt teknik apo gabim njerëzor.
Hetimet janë përqendruar edhe te pamjet filmike të zonës, pasi në vendngjarje ka sistem kamerash sigurie. Një pajisje DVR me 128 kanale është sekuestruar, por Instituti i Policisë Shkencore ka deklaruar se aktualisht nuk mund të kryejë ekspertimin për mungesë licence, duke e shtyrë procesin. Prokuroria ka kërkuar që ekspertimi të realizohet nga subjekte private, si dhe të verifikohet nëse pamjet janë fshirë apo manipuluar.
Vetë i dëmtuari shpreh dyshime se pamjet mund të jenë zhdukur, duke theksuar se zona është e mbuluar plotësisht nga kamerat e sigurisë. Ai ka bërë një marrëveshje me pronarin e kompanisë nënkontraktore për të mos hapur proces civil për dëmshpërblim, por kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Nga ana tjetër, pronari i kompanisë nënkontraktore ka deklaruar se shoferi vijon të jetë në punë dhe çdo masë do të merret vetëm pas një vendimi të drejtësisë. Ai mohon çdo tentativë për fshehje dhe thotë se përgjegjësia do të përcaktohet nga gjykata.
Ndërkohë, hetimet vijojnë, ndërsa i dëmtuari kërkon që rasti të zbardhet plotësisht dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për aksidentin që i rrezikoi jetën.







