Bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar dhe të strukturuar, i cili funksionon që nga momenti i nisjes së shtetasve të huaj nga vendet e origjinës e deri në mbërritjen e tyre në Shqipëri. Sipas burimeve, korrupsioni dhe ndihma për këtë aktivitet kriminal nisin që në ambasadat shqiptare në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, përfshirë edhe ambasadën shqiptare në Egjipt, për të vijuar më pas me pritjen e shtetasve të huaj në aeroportin e Rinasit dhe akomodimin e përkohshëm në vend.

Emigrantët, të cilët hyjnë në Shqipëri nën petkun e punëtorëve të huaj, në fakt nuk qëndrojnë në territorin shqiptar, por largohen pothuajse menjëherë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm trafikimi ndikon drejtpërdrejt edhe në tregun e brendshëm, duke dëmtuar bizneset e rregullta që respektojnë ligjin, ndërkohë që disa subjekte të tjera janë të përfshira drejtpërdrejt në aktivitetin ilegal. Situata përkeqësohet edhe më tej nga ekzistenca e një tregu informal dhe individëve privatë që merren me këtë aktivitet pa qenë agjenci të licencuara, duke përdorur manovra të ndryshme për të realizuar qëllime të paligjshme.

Sipas avokates Xhina Veizi, nuk mund të flitet për një treg të rregullt:

“Është e vështirë të thuhet se kemi të bëjmë me një treg të rregulluar. Ka kompani ndërtimi që kanë brenda struktura të dedikuara vetëm për këto procedura, me qëllim shmangien e sanksioneve. Edhe agjencitë e rekrutimit, megjithëse janë të licencuara, nuk mund të konsiderohen plotësisht të rregullta. Ndërkohë, individë të caktuar e ofrojnë këtë shërbim në mënyrë private dhe informale, gjë që sjell deformim të tregut, anomali në çmime dhe në mënyrën e funksionimit.”

Fenomeni nuk është i ri. Emisioni investigativ Inside Story e ka trajtuar këtë çështje disa vite më parë, në një tjetër kontekst, por pavarësisht bujës mediatike të asaj kohe, situata duket se ka mbetur e pandryshuar. Investigimi i atëhershëm shkaktoi një furtunë në radhët e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, duke çuar në çmontimin e disa grupeve kriminale të drejtuara nga shtetas arabë.

Një nga problematikat më të rënda lidhet me përfshirjen direkte të vetë strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Disa punonjës policie janë arrestuar pasi rezultuan pjesë e grupeve që organizonin emigrimin ilegal. Vetëm gjatë vitit 2024 u arrestua shefi i seksionit të migracionit në Policinë e Tiranës, Edmond Braha, së bashku me efektivin Altin Hasani.

Ky i fundit kishte qenë më herët pjesë e hetimeve që në vitin 2020 për përfshirje në këtë aktivitet, por pavarësisht kësaj, arriti të rikthehej sërish në detyrë, deri në momentin kur u zbulua për herë të dytë.

Edhe pse janë ndërmarrë aksione të bujshme policore, me kalimin e kohës dhe me rënien e vëmendjes mediatike, këto çështje shpesh zbehen dhe nuk marrin trajtimin e duhur institucional. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi kryesor.

Ndër grupet e goditura janë linja e emigrantëve egjiptianë, e drejtuar nga Ahmed Kensowa, si dhe linjat nga Bangladeshi dhe Kameruni, të cilat u zbuluan nga SPAK dhe drejtoheshin nga Endri Seiti dhe Luan Tafalla. Kjo dosje ndodhet aktualisht në proces gjykimi.

Në provat e administruara nga hetuesit e BKH-së dhe Policia e Tiranës përfshihen përgjime telefonike, takime mes palëve, si dhe prova materiale, përfshirë edhe qese me para të destinuara për zyrtarë shtetërorë.

Arrestimi më i fundit lidhet me Kreshnik Gaxhën, 31 vjeç nga Kukësi, i cili dyshohet se transportonte shtetas egjiptianë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai i priste emigrantët në aeroportin e Rinasit dhe më pas organizonte kalimin e tyre të paligjshëm përmes kufirit. Inside Story ka ndjekur nga afër këtë operacion, duke dokumentuar me pamje ekskluzive momentin e arrestimit.

Nga ana tjetër, rezulton se edhe disa biznese janë përfshirë drejtpërdrejt në emigrimin ilegal të punëtorëve të huaj. Aktualisht, procedura për marrjen e një punonjësi të huaj është relativisht e thjeshtë.

Avokatja Suada Pocesta shpjegon se:

“Në Shqipëri, aplikimi për punëtorë të huaj bëhet online përmes sistemit e-viza. Biznesi duhet të plotësojë disa kushte, ku një nga më kryesoret është sigurimi i akomodimit për punonjësit.”

Në këtë kontekst, disa subjekte kanë shfrytëzuar nevojën për punëtorë të huaj për të qenë pjesë organike e skemave kriminale. Ata kanë siguruar leje pune dhe viza, me qëllim përfitimi financiar, për t’i larguar më pas shtetasit e huaj nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.

Sipas SPAK, aktiviteti kriminal organizohej nga Luan Tafalla dhe Endri Saiti, të cilët, përmes agjencisë së punësimit “Intercontinental Link” shpk dhe në bashkëpunim me shoqëritë tregtare “Mega Shoes”, “Gerem Konfeksione” dhe “Konservimi Adriatik”, kanë kryer aplikime për leje unike pune dhe viza D për shtetas nga Bangladeshi.

Një tjetër emër i përfshirë në këtë skemë është italiani Antonio Spekio, i cili vijon procesin gjyqësor në GJKKO. Sipas SPAK, ai përdorte aktivitetin e tij tregtar të këpucëve “Mags Shoes” si mbulesë për trafikimin e emigrantëve. Spekio rezulton aksioner në tre biznese me të njëjtin objekt aktiviteti dhe është përgjuar në biseda me persona të përfshirë në trafik, përfshirë edhe një punonjës policie në aeroportin e Rinasit, ende i paidentifikuar.

Në përfundim, sipas avokates Suada Pocesta, problemi mbetet kryesisht institucional:

“Nga ana shoqërore, trajtimi ndaj emigrantëve është korrekt dhe mirëpritës. Por shteti nuk ka ndërtuar mekanizma realë për mbrojtjen e këtyre personave që vijnë nga zonat aziatike dhe afrikane. Institucionet funksionojnë më shumë në mënyrë formale sesa reale kur bëhet fjalë për mbrojtjen e tyre.”/InsideStory