ndërsa klani i tij goditej nga prokuroria italiane për trafik droge
Teksa më 1 shkurt 2025 prokuroria e Barit në Itali lëshoi 28 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të klanit “Troplini” në Shkozet të Durrësit, të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine, në Shqipëri, vetëm 10 ditë më vonë, drejtuesi në hije i këtij klani, Xhevdet Troplini, firmoste qetësisht një kontratë për përfitim granti financiar nga buxheti i shtetit shqiptar.
Sipas dokumenteve të siguruara, më 11 shkurt 2025, Troplini ka firmosur në zyrat e Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) një kontratë me nr. protokolli 200/5, në cilësinë e Personit Fizik, për përfitimin e një granti financiar prej 22 milionë e 577 mijë lekësh të vjetra.
Kontrata është nënshkruar nga vetë Xhevdet Troplini dhe nga Ardita Kuçi, drejtoresha e AZHBR-së, institucion që varet nga Ministria e Bujqësisë. Firmëtarë janë gjithashtu edhe anëtarët e komisionit vlerësues: H. Myrta, S. Hodaj, A. Caco dhe S. Harizi, të cilët kanë miratuar aplikimin e Troplinit.
Grant shtetëror për “Poja i Durrësit”
Xhevdet Troplini, i njohur në Durrës me nofkën “Poja i Durrësit”, është një emër i njohur për drejtësinë italiane dhe shqiptare. Ai është arrestuar më parë në Itali për trafik droge dhe, sipas burimeve hetimore, konsiderohet nga SPAK si një nga personat me ndikim të fortë në qytetin e Durrësit, përfshirë lidhje të dyshuara me administratën policore lokale.
Megjithatë, pavarësisht këtij profili penal, Troplini ka përfituar fonde publike me arsyetimin se është fermer, duke deklaruar se do të investojë grantin në blerjen e një traktori, si pjesë e mekanizimit bujqësor për fermën e tij në Xhafzotaj, të hapur në mars të vitit 2021, ku mbarështon dhe tregton kafshë.
Sipas kontratës, investimi i financuar nga Buxheti i Shtetit duhej të realizohej deri më 30 qershor 2025. Ky nuk është përfitimi i parë i Troplinit nga fondet e AZHBR-së, çka ngre pikëpyetje serioze mbi filtrat e kontrollit dhe verifikimit të përfituesve të skemave të mbështetjes bujqësore.
Dosja e errët e Troplinit
Në vitin 2006, Xhevdet Troplini u arrestua në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Dosja ndaj tij u përcoll edhe në Shqipëri nga autoritetet italiane, pas përgjimeve që implikonin Troplinin dhe bashkëpunëtorët e tij në rrjete trafiku heroine dhe kokaine.
Vetëm tre ditë para arrestimit të tij në 2006, disa bashkëpunëtorë të Troplinit u ndaluan në Bari me rreth 20 kilogramë heroinë, e cila sipas hetimeve kalonte nga Turqia – Shqipëria – Itali, një itinerar klasik i trafikut ndërkombëtar të drogës.
Pyetje pa përgjigje
Rasti ngre pikëpyetje të rënda:
- Si mundet që një person i lidhur me një klan kriminal, i goditur nga drejtësia italiane, të përfitojë fonde publike në Shqipëri?
- A janë kryer verifikime reale nga AZHBR mbi pastërtinë e figurës së përfituesit?
- Dhe mbi të gjitha, a po shndërrohen skemat e mbështetjes bujqësore në mekanizma legjitimimi dhe pastrimi parash për individë me rekorde kriminale?
Një tjetër skandal që vë në dyshim seriozisht kontrollin e shtetit mbi fondet publike dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore.






