Në vend të ilaçeve, Rama ofron dhoma hoteli

QSUT, institucioni më i madh spitalor në vend, po përballet me një transformim që po ngre pikëpyetje serioze mbi prioritetet reale të sistemit publik shëndetësor. Ndërkohë që pacientët përballen çdo ditë me mungesa shërbimesh, medikamentesh dhe hapësirash funksionale, në ambientet e qendrës spitalore po projektohen ndërtime me karakter të theksuar fitimprurës.

Në qendër të vëmendjes është një kontratë me vlerë 14 milionë euro, e shpallur në shtator 2024 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me objekt: “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve – ndërtimi i godinës së parkimit multifunksional me shumë nivele në QSUT”.

Sipas dokumentacionit zyrtar të tenderit, projekti është fituar nga kompania “Salillari shpk”, në bashkëpunim me “ASL shpk”, dhe parashikon një ndërhyrje të gjerë ndërtimore brenda territorit të QSUT-së.

Kontrata përfshin ndërtimin e dy godinave të ndara:

  • një strukturë parkimi 6-katëshe, me 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokësor

  • si dhe një hotel 5-katësh, i konceptuar për qëllime pritjeje dhe logjistike, i pajisur gjithashtu me kat teknik nëntokësor

Afati i parashikuar për realizimin e projektit është 24 muaj.

Një tjetër element që po ngjall debat lidhet me menaxhimin e parkimit të ri, i cili pritet të kalojë nën administrimin e Agjencisë Ekonomike Mbështetëse, një strukturë e krijuar në vitin 2018 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo agjenci drejtohet nga Alfred Dalipi, ish-zëvendësministër i Mjedisit dhe ish-deputet.

Agjencia e nisi aktivitetin e saj pikërisht në QSUT, duke vendosur tarifa parkimi, dhe me kalimin e viteve është shndërruar në një operator që administron parkime dhe projekte ndërtimore në disa qytete të vendit.

Aktualisht, ajo menaxhon ose ka menaxhuar projekte si:

  • Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë

  • Projekte në Vermosh

  • Kompleksi agroturistik në Belsh

  • Godina e parkimit në Berat, në sheshin “Teodor Muzaka”

  • Qendra e Zhvillimit Rajonal në Korçë

  • Godina e parkimit në Gjirokastër, në sheshin “Çerçiz Topulli”

Përmes këtyre projekteve, gjenerohen të ardhura të konsiderueshme nga përdorimi i hapësirave publike, ndërkohë që në QSUT vazhdojnë të evidentohen probleme serioze në ofrimin e shërbimeve bazë shëndetësore dhe mungesë hapësirash funksionale për pacientët dhe stafin mjekësor.

Ndërtimi i parkimeve me pagesë dhe i një hoteli brenda territorit të spitalit ngre pikëpyetje mbi balancën mes interesit publik dhe atij ekonomik, si dhe mbi mënyrën se si po shfrytëzohen hapësirat e një institucioni që duhet të ketë si prioritet absolut shëndetin e qytetarëve.

Rasti i QSUT-së shihet gjithnjë e më shumë si një shembull i komercializimit të institucioneve publike shëndetësore, ku investimet orientohen drejt projekteve me kthim financiar, ndërsa nevojat reale të pacientëve mbeten në plan të dytë.