për shkelje të barazisë në tendera
SPAK ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, së bashku me gjashtë persona të tjerë, nën akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, vepër e kryer në bashkëpunim.
Përveç Becit, në listën e të pandehurve janë edhe Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, çështja lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga KESH me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit rreth 69.5 milionë lekë.
Çfarë ka zbuluar hetimi
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë zhvillimit të procedurës janë kryer një sërë veprimesh të kundërligjshme, që përfshijnë:
- përllogaritjen e fondit limit,
- hartimin e termave të referencës,
- përcaktimin e kritereve të tenderit,
- si dhe vlerësimin e ofertave.
Sipas SPAK, këto veprime janë kryer nga titullari i autoritetit kontraktor, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisioni i vlerësimit të ofertave.
Roli i Benet Becit
Prokuroria thekson se Benet Beci, në kohën kur ushtronte detyrën e administratorit të KESH, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., në shkelje të ligjit për prokurimin publik dhe akteve nënligjore përkatëse.
Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe është mbështetur edhe në prova të siguruara përmes teknikave të posaçme të hetimit dhe materiale të sekuestruara gjatë kontrolleve.
SPAK sqaron se në këtë procedurë janë konstatuar shkelje të disa neneve të ligjit “Për prokurimin publik”, si dhe të rregullave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, duke çuar në dërgimin e çështjes për gjykim në gjykatë.






