Behar Çukaj nën lupën e hetimit
Strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë thelluar hetimet ndaj aktivitetit të grupit të hidrokarbureve “Bolv Oil”, duke e vendosur pronarin e tij, Behar Çukaj, në qendër të një dosjeje voluminoze për krim ekonomik dhe financiar.
Sipas burimeve hetimore, Çukaj rezulton një nga figurat kyçe në çështjen e njohur si dosja “Bankers”, tashmë nën administrimin e SPAK, ku dyshohet për evazion fiskal, mashtrim me TVSH, kontrabandë karburantesh dhe pastrim të shumave shumë të mëdha parash.
Hetimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nxjerrë në pah një rrjet kompleks kompanish të përdorura për kontrata fiktive, transferta të dyshimta dhe manipulim bilancesh, në bashkëpunim me “Bankers”. Në fokus janë futur gjithashtu raste të vjedhjes së naftës nga depot e “Albpetrol”-it, përdorimi i subjekteve transportuese pa licencë dhe investime luksoze në pasuri të paluajtshme.
Skema e kompanive “guaskë”
SPAK dhe BKH po ndjekin gjurmët e aktivitetit financiar të “Bolv Oil” dhe kompanive të lidhura me të, përfshirë edhe “Olsi” sh.p.k., e regjistruar në emër të djalit të tij, Olsi Çukaj. Kjo kompani dyshohet se është përdorur në 154 raste për kryerjen e transfertave ilegale, shpenzimeve financiare të pajustifikuara dhe pjesëmarrjes fiktive në tenderë publikë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Olsi Çukaj u përfshi edhe në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, fakt që hetuesit po e analizojnë në kuadër të ndikimit dhe lidhjeve të mundshme politike.
Qarkullim qindra milionë eurosh
Nga hetimi paraprak rezulton se vetëm përmes dokumentacionit tatimor të rremë, në bashkëpunim me “Bankers”, janë qarkulluar mbi 10 milionë euro, ndërsa verifikimet e thelluara të BKH kanë zbuluar edhe rreth 310 milionë euro të tjera, të fshehura përmes kontratave për shërbime të pakryera, fatura TVSH-je fiktive dhe transferta financiare të kamufluara.
Një tjetër hallkë e rëndësishme e skemës është kompania “BOLV TRANS” sh.p.k., e krijuar në vitin 2011, e cila dyshohet se ka ushtruar aktivitet transporti për “Bankers” edhe pa licencë funksionale, duke vijuar faturimet dhe deklarimet tatimore deri në vitin 2025, pavarësisht se ishte formalish e mbyllur.
Investime luksoze dhe pasuri të dyshimta
Gjurmimi i përfitimeve financiare ka çuar hetuesit te një investim i dyshuar prej 120 milionë eurosh në zonën e Farkës, ku është ndërtuar kompleksi rezidencial “Tulipan”, mbi rreth 50 mijë metra katrorë tokë. Sipas dosjes, një pjesë e pasurive dyshohet se janë përfituar nga persona të lidhur me politikën dhe krimin e organizuar.
Në hetim përfshihet edhe vjedhja e 1.3 milionë litrave naftë nga depot shtetërore të “Albpetrol”, çështje për të cilat Çukaj është proceduar disa herë në periudhën 2014–2021, por që më herët janë pushuar nga Prokuroria e Fierit.
Arsimi si mbulesë për pastrim parash
Një element tjetër i skemës, sipas hetuesve, lidhet me krijimin e një subjekti arsimor në shtator 2021, me emrin “Kolegji Alma Mater Europaea Campus College Rezonanca”. Ky institucion dyshohet se ka ushtruar aktivitet pa licencë dhe është përdorur për pastrimin e rreth 60 milionë eurove, përpara se të mbyllej pa dorëzuar bilance financiare.
Rrjeti i zgjeruar i kompanive
Hetimi përfshin edhe kompani të tjera të lidhura me Behar Çukajn, si “R.C. RIRA”, “INBI”, “SH.R.S.F. OLSI” dhe “B&O Construction”, të dyshuara për përdorim në skema të pastrimit të parave dhe transfertave të paligjshme.
SPAK dhe BKH vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e këtij rrjeti, i cili konsiderohet një nga rastet më të rënda të dyshuara të krimit ekonomik në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri.






