SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë në Kodra e Diellit, duke lëshuar urdhër-arreste për disa persona të përfshirë në hetimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Operacioni vjen pas një hetimi njëvjeçar që ka zbuluar dyshime për abuzime të rënda në procedurat e tenderimit të institucioneve shtetërore.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Kërçanaj, dyshohet se ka favorizuar kompani të caktuara për tendera miliona euro, kryesisht për mirëmbajtjen e serverave dhe sistemeve informatike të institucioneve shtetërore me rëndësi të veçantë. Për Ergys Agasin nuk ka konfirmim nëse është arrestuar, por në banesën e tij po kryhen kontrolle intensive nga hetuesit. Biznesmeni Ermal Beqiraj, përmes kompanive të tij, dyshohet se ka fituar tendera pranë AKSHI-t me vlera miliona euro.
Hetimet e SPAK-ut përfshijnë gjithsej 12 procedura tenderuese. Sipas konkluzioneve të para, këto procedura kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit dhe dyshohet se janë zhvilluar në mënyrë që të favorizonin kompani të caktuara, duke cenuar konkurrencën e ndershme. Hetimi ka përfshirë gjithashtu analizën e pasurive të personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë menaxhuar kontratat dhe fondet publike.
GJKKO ka vendosur masa sigurie të ndryshme: për Mirlinda Kërçanaj është caktuar “arrest shtëpie”, për Ermal Beqiraj “arrest me burg”, ndërsa për Ergys Agasin po kryhen aktualisht masat përkatëse. Masa sigurie janë vendosur gjithashtu për disa zyrtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në manipulimin e procedurave të tenderimit.
Personat e përfshirë në hetim akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Hetimet vazhdojnë intensivisht për të zbardhur të gjithë skemën e dyshuar të abuzimeve, duke përfshirë çdo hap të procesit të tenderimit, lidhjet me kompanitë fituese dhe pasuritë e përfshira në këto kontrata.
Operacioni i SPAK-ut vjen pas shqetësimeve të përsëritura mbi menaxhimin e tenderave në AKSHI dhe dyshimeve se procedurat janë përdorur për përfitime të paligjshme nga kompani dhe individë të caktuar. Hetimet pritet të sjellin më shumë detaje mbi rolet e secilit person të përfshirë dhe mënyrën se si janë përfituar miliona euro nga fondet publike
Drejtoresha e AKSHI-t në hetim per 12 tendera
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
SPAK është duke hetuar për 12 procedura tenderuese, në vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme.
Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.
AKSHI është një institucion i vënë në qendër të akuzave dhe madje një prej ish-zyrtarëve të saj, Daniel Shima, u zhduk në mënyrë të dyshimtë për 10 orë me radhë ku mendohet të jetë mbajtur peng nga një grup kriminal në Elbasan.
Klienti kryesor i AKSHI-t është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili njihet si “gllabëruesi” i parave publike përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Historia e dyshimtë e “perandorisë” së Ermal Beqirit
Tenderat dhjetra milionë euro të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë krijuar një situatë oligopoli, në të cilën fondet qeveritare ndahen mes një grushti të vogël kompanish private, disa prej të cilave të lidhura mes tyre.
Një pozicion të rëndësishëm në këtë “oligopol” ka biznesmeni Ermal Beqiri, i cili aktualisht zotëron dy prej shoqërive që janë prezent në rolin e fituesit në tenderat e majmë të AKSHI-t, “Soft & Solution” dhe “Horizon”. “Perandoria” informatike e Beqirit është ngritur mbi një të shkuar të diskutueshme të tij.
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2011. Në atë kohë, inxhinjeri elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta.
Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur në publik si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”.
Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.
Paralelisht me këtë proces, Beqiri, i cili krahas punës në Rektorat, ishte edhe pedagog në universitetin “Kristal”, krijon një kompani private, “Al-Forensic”, së bashku me kolegun e tij, Ardian Pollo, një tjetër ekspert i thirrur për videon “Meta-Prifti”.
Kjo shoqëri nuk pati sukses të dukshëm. Dy aksionerët e pezullojnë aktivitetin e shoqërisë në vitin 2015, ndërkohë që fitimi për vitin e fundit ishte vetëm 300 mijë lekë të reja.
Më herët, Ermal Beqiri nuk kishte pasur sukses as me një kompani tjetër, “Al-Soft”, të cilën e krijoi dhe e mbylli brenda vitit 2010.
Beqiri rishfaqet në publik në fund të vitit 2013, në atë që konsiderohet si “skandali i serverit të Tatimeve”.
Në nëntor të atij viti pati dyshime të forta se kishte ndërhyrje të paligjshme në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për verifikimin e situatës, pranë Tatimeve shkuan deputeti i Komisionit të Sigurisë në atë kohë, Spartak Braho, i shoqëruar nga eksperti Ermal Beqiri. Në atë kohë u mësua se Beqiri shërbente si këshilltar informatik pranë kabinetit të kryeministrit Edi Rama.
Ermal Beqiri dhe Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit Damian Gjiknuri, kryen auditimin administrativ të këtij rasti, sipas dëshmive të bëra publike gjatë Komisionit Hetimor Parlamentar për “serverin e Tatimeve”, të zhvilluar në vitin 2016.
Një hetim penal i mëvonshëm konstatoi se nuk kishte pasur ndërhyrje të paligjshme në serverin e Tatimeve, por situata problematike ishte krijuar për shkak të një anomalie elektronike.
Të dhëna zyrtare tregojnë se lidhja mes Spartak Brahos dhe Ermal Beqirit nuk ishte vetëm në kuadrin e raporteve zyrtare.
Në qershor të vitit 2012 regjistrohet shoqëria “Alb Red Stone”, me aksioner themelues Ramazan Domi, Ermal Beqiri dhe Arbër Braho, ky i fundit djali i Spartak Brahos. Kompania vijon të jetë active dhe ka objekt “Aktivitete në fushën e prodhimit të materialeve të ndërtimit nxjerrjes, shfrytëzimit dhe përpunimit të burimeve minerale, mermereve, graniteve, etj.”
Në vitin 2015, emri i Ermal Beqirit gjendet në listën e të punësuarve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekës, në pozicionin e drejtorit të Teknologjisë së Informacionit.
Gjatë periudhës që ai mbante këtë post, një kompani private pa shumë histori deri në atë kohë, “Soft & Solution”, nisi të fitonte radhazi tendera për pajisje informatike pranë Hipotekës.
Gjatë vitit 2016 pati raportime mediatike që hidhnin dyshime se Ermal Beqiri fshihej pas kompanisë “Soft & Solution”, e cila zyrtarisht ishte në pronësi të Arjola Koromani. Konfirmimet mediatike u konfirmuan më vonë.
Në një kohë më të vonë, Ermal Beqiri vendos të dalë nga aktivizimi në administratën publike, duke hyrë përfundimisht në botën e biznesit. Në janar të vitit 2018 krijon kompaninë “5min.al”, me objekt “blerje e shitje dhe dhënie makinash me qira…”. Duket se ka qenë një biznes jo shumë i mirë, pasi, vetëm një vit më vonë, në janar 2019, e pezullon aktivitetin e saj.
Në vitin 2021, Ermal Beqiri merr në kontroll kompaninë “Soft & Solution”, për të cilën ka pasur dyshime të mëhershme mediatike se e kontrollonte në hije, që kur ai ishte drejtor IT në Hipotekë dhe shoqëria fitonte tendera radhazi pranë atij institucionit.

Kompania “Soft & Solution” është krijuar në janar të vitit 2011, me objekt “Zhvillim, implementim dhe mirëmbajtje të sistemeve dhe programeve në fushën e teknologjisë së informacionit…etj,”.
Aksionerët themelues ishin Enida Puto e Vjollca Vasjari. Disa muaj më pas, në tetor të atij viti, aksionet e shoqërisë blihen nga Dritan Didi.
Ky i fundit qëndron vetëm pak muaj aksioner dhe, në mars 2012 e shet kompaninë ‘Soft & Solution” tek Arjola Koromani.
Në Korrik të vitit 2021, Koromani e shet kompaninë tek Ermal Beqiri për shumën 1 milionë lekë të reja. Pas këtij transaksioni, Arjola Koromani vijon të mbajë postin e administratores së shoqërisë.
Gjatë vitit 2024, Ermal Beqiri shton portofolin e tij të biznese me tre kompani të tjera.
Në Mars të këtij viti ai themelon shoqërinë “R&D Solution”, me objekt “Kërkim shkencor dhe teknologjik..etj,”. Administratore e shoqërisë është sërish Arjola Koromani, ish-pronarja e “Soft & Solution”.

Në Prill të vitit 2024, Ermal Beqiri blen 100 përqind të aksioneve të shoqërisë ‘IT Tirana”, për një shumë prej 144 mijë euro. Pas blerjes, emri i shoqërisë ndryshohet në “NSolution”.
Shoqëria “IT Tirana” është themeluar në vitin 2008, me objekt të aktivitetit “Shërbime në fushën e telekomunikacioneve, rrjeteve kompjuterike…”.
Beqiri e bleu shoqërinë nga ortakët e saj, shtetasit gjermanë Volker Valentin Koch, Jochen Mosthaf dhe Arben Qarkaxhija.
Dhe, në Maj 2024, Ermal Beqiri bën një tjetër “goditje” të rëndësishme, duke blerë për 380 mijë euro të gjithë aksionet e kompanisë “Horizon”.

Kjo shoqëri është themeluar në vitin 2005, me objekt “veprimtari në fushën informatike…”.
Beqiri e bleu kompaninë nga “Comscope Limited”, një shoqëri e regjistruar në zonën off-shore të Qipros dhe me përfaqësues Vasileios Stachos.
Pas kryerjes së këtij transaksioni, Stachos vijon të mbajë ende postin e administratorit të shoqërisë “Horizon”.






