në fokus tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madh
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në lidhje me procedurat e tenderimit për Tunelin e Llogarasë dhe segmentet e Unazës së Madhe.
Sipas burimeve pranë organit të akuzës, prokurorët e posaçëm kanë nisur një verifikim të thelluar pasuror, duke adresuar shkresa zyrtare drejt bankave të nivelit të dytë, institucioneve të kadastrës, si dhe institucioneve të tjera ndihmëse. Qëllimi është evidentimi i plotë i pasurisë së Ballukut dhe i personave të lidhur me të.
Verifikime në banka dhe ILDKPKI
Burime konfirmojnë se janë siguruar informacionet e para nga disa banka të nivelit të dytë, ndërsa paralelisht është kërkuar informacion edhe pranë ILDKPKI për deklarimet e pasurisë. Hetimi synon të analizojë përputhshmërinë mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurisë faktike.
Pas grumbullimit të të gjithë materialit financiar dhe dokumentar, pritet të vendoset mbi regjistrimin formal të një procedimi penal për hetim pasuror.
Në analizë celularë dhe dokumente financiare
Ndërkohë, hetuesit janë duke këqyrur me detaje celularët dhe provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të zhvilluara në biznese të ndryshme. Synimi është identifikimi i komunikimeve apo të dhënave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrjedhës së fondeve dhe lidhjeve të mundshme me procedurat e tenderimit.
Në kuadër të hetimit penal, SPAK ka sekuestruar bilancet financiare dhe librat e shitblerjeve të kompanive që kanë rezultuar fituese në tenderat për të cilat Balluku është nën hetim. Prokurorët po analizojnë nëse ka elementë të paracaktimit të procedurave, favorizimit apo korrupsionit në ndarjen e kontratave publike.
Dosje voluminoze, hetim në disa drejtime
Sipas burimeve, bëhet fjalë për një dosje voluminoze, me një sërë veprimesh hetimore në disa drejtime: verifikim pasurie, analizë financiare të kompanive, si dhe shqyrtim të provave digjitale.






