Një incident me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e SaukutTiranë, ku një shtetas turk ka mbetur i plagosur pas një konflikti me një person tjetër.

Sipas të dhënave paraprake, i plagosuri është identifikuar si Halil Uçar, 39 vjeç. Ai është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në një spital privat, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm.

Burime mjekësore bëjnë të ditur se 39-vjeçari ka pësuar një plagë në shpatull. Pas ndërhyrjes së mjekëve, gjendja e tij është stabilizuar dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga informacionet e para të hetimit rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy personave. Dyshohet se edhe autori i të shtënave është shtetas turk. Në vendin e ngjarjes është përdorur një armë zjarri, që dyshohet të ketë qenë pistoletë.

Policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar autorin e dyshuar.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se:

“Më datë 09.03.2026, rreth orës 19:25, është paraqitur për mjekim në spital shtetasi i huaj turk H.U., 39 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në një lokal në Sauk.”

Sipas policisë, 39-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.