Policia ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në Memaliaj, ku një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas njoftimit zyrtar, viktima është 30-vjeçari Endri Goxhaj, i cili dyshohet se është qëlluar nga një 29-vjeçar me iniciale D. N., pas një konflikti mes tyre.

Si pasojë e incidentit, ka mbetur i plagosur edhe vëllai i autorit të dyshuar, 25-vjeçari Dario Nela, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50. I riu i plagosur rëndë nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa forcat e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.