Denoncimi i deputetes Elda Hoti për urën e Milotit
Deputetja Elda Hoti ka ngritur akuza të forta për abuzim me fondet publike dhe shkatërrim mjedisor në zonën e Milotit, duke e cilësuar situatën si pasojë direkte të korrupsionit të mbrojtur politikisht.
Sipas saj, dëmtimi i vazhdueshëm i lumit Mat nuk lidhet me reshjet apo faktorët natyrorë, por me një skemë të organizuar grabitjeje të pasurisë publike, ku kamionë dhe mjete të rënda nxjerrin inerte pa leje, në mes të ditës dhe pa asnjë ndëshkim.
“Lumi Mat nuk po gërryhet nga natyra, por nga mafia e inerteve, që vepron hapur, me bekim politik”, thekson Hoti, duke shtuar se ky aktivitet i paligjshëm ka ndikuar drejtpërdrejt në dëmtimin e themeleve të Urës së Milotit.
Tenderi “emergjent” prej 1 milion eurosh
Në qendër të denoncimit është edhe tenderi “emergjent” me fond limit 1 milion euro për mbrojtjen e themeleve të Urës së Milotit. Sipas Hotit, pavarësisht këtij investimi, realiteti në terren tregon të kundërtën:
-
këmbët e urës janë të dëmtuara,
-
qarkullimi i automjeteve vijon të jetë i bllokuar,
-
siguria e qytetarëve nuk është garantuar.
“Paratë publike janë shpenzuar, por problemi jo vetëm që nuk u zgjidh, përkundrazi u thellua”, thuhet në reagim.
Deputetja ngre pyetje të drejtpërdrejta:
-
Ku shkuan 1 milion eurot?
-
Kush mban përgjegjësi për një ndërhyrje që dështoi?
Akuza për përgjegjësi politike
Hoti thekson se kjo nuk është çështje paaftësie, por “grabitje e organizuar e fondeve publike”, duke kujtuar se ministrja e Infrastrukturës është e pandehur në SPAK pikërisht për tendera të kësaj natyre.
Ajo i bën thirrje publike zyrtarëve që të dalin në terren dhe të përballen me realitetin, duke sfiduar hapur që verifikimi të bëhet pranë Urës së Milotit dhe aktiviteteve që po gërryejnë lumin Mat çdo ditë.
Sipas saj, qytetarët e Milotit dhe i gjithë veriu i vendit janë lënë të izoluar, ndërsa përgjegjësit fshihen pas procedurave “emergjente” dhe heshtjes institucionale.






