Tirana është një nga qytetet me kujdesin më të dobët mjekësor në të gjithë botën. Kryeqyteti ynë është vlerësuar me 48 pikë sipas Indeksit të Kujdesit Shëndetësor sipas qyteteve 2023, duke u renditur në vendin e 255 nga 266 qytetet e përfshira.

Ky pikëzim llogaritet sipas infrastrukturës për kujdesin mjekësor, kostot për kura dhe ndërhyrje, si dhe në qasjen që kemi në ndaj medikamenteve me cilësi të lartë, të prodhuara nga kompanitë më të mëdha dhe serioze në glob.

Kryeqytetet e tjera të rajonit renditen ndjeshëm më mirë se Tirana. Beogradi vlerësohet me 53.5 pikë dhe është në vendin e 238-të. Novi Sad, një tjetër qytet i Serbisë renditet gjithashtu më lart se Tirana, në vendin e 248-të.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi renditet në vendin e 234 me 54.5 pikë. Në indeks nuk përfshihet asnjë qytet i Malit të Zi dhe i Kosovës. Qyteti me kujdesin më të lartë në glob është Taipei, kryeqyteti i Tajvanit, që ka një sasi prej 86.4 pikësh.