Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në zonën e rrugës “Jordan Misja”, në kryeqytet, duke shkaktuar panik te banorët përreth.
Sipas të dhënave paraprake, flakët kanë përfshirë një pallat pranë Burgut 313, ndërsa tymi i dendur është parë në një pjesë të konsiderueshme të zonës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar, por situata ka krijuar shqetësim te banorët, të cilët janë larguar nga banesat për arsye sigurie.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.






