aksidenti “plotësisht i shmangshëm”
Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi ka rënë në një bosht ventilimi në një kantier ndërtimi në Acton, Londër, në një ngjarje që autoritetet britanike e kanë cilësuar si “plotësisht të shmangshme”.
Viktima, Renols Lleshi, ishte duke ndihmuar në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë në katin e 12-të të një pallati në ndërtim, pranë zonës së Ark Soane Academy në Mill Hill Road.
Sipas hetimeve, i riu ka shkelur mbi një bosht ventilimi, mbulesa e të cilit është shembur menjëherë, duke bërë që ai të binte rreth gjashtë kate poshtë. Si pasojë e plagëve të rënda, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Autoriteti britanik për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) konstatoi se hapësira ishte mbuluar vetëm me një fletë kartoni gipsi dhe shkumë çatie, masa që u vlerësuan si tërësisht të pamjaftueshme për garantimin e sigurisë.
Gjithashtu, hetimi zbuloi se inspektimet rutinë të objektit nuk përfshinin zonën e kopshtit të çatisë, duke bërë që rreziku të mos identifikohej dhe punëtorët të mos paralajmëroheshin për rrezikun potencial.
Familjarët e të ndjerit deklaruan se fakti që vdekja ishte plotësisht e shmangshme e bën humbjen edhe më të rëndë, ndërsa babai i tij theksoi se, pavarësisht hetimeve dhe ndjekjes penale të përgjegjësve, asgjë nuk mund ta rikthejë djalin e tyre.
Kompania e ndërtimit “Jeram Falkus Construction Limited”, punëdhënësi i viktimës, pranoi shkeljen e rregullave për punën në lartësi dhe u gjobit me 42,200 paund. Gjithashtu, ajo u detyrua të paguajë edhe 2,000 paund shtesë dhe 5,000 paund shpenzime gjyqësore, sipas vendimit të Gjykatës së Magjistraturës së City of London.






