Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 43-vjeçari në zonën e Dajtit, në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur gjatë punës në një subjekt guroreje, ku një mjet i rëndë tip fadromë ka përplasur një nga punëtorët teksa po lëvizte mbrapsht.

Viktima është identifikuar si Adriatik Xhafaj, 43 vjeç, i cili fatkeqësisht nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Pas aksidentit, policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit të punës, shtetasin Ilir Çaka, 56 vjeç. Ai dyshohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin Nr. 4 kanë arrestuar drejtuesin e fadromës, pasi dyshohet se gjatë manovrimit mbrapsht me mjetin e punës në gurore ka përplasur punëtorin, duke i shkaktuar vdekjen.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me këtë ngjarje të rëndë në vendin e punës.