200 milionë lekë dieta për deputetët, 60 milionë vetëm për udhëtime jashtë vendit

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar rreth 200 milionë lekë gjatë vitit 2025 vetëm për privilegjet që burojnë nga statusi i deputetit, një shumë që përbën 44.2% të totalit të shpenzimeve operative të institucionit.

Sipas analizës zyrtare të zbatimit të buxhetit, fondet janë përdorur për rimbursime telefonike, karburant, dieta brenda vendit, honorare për komisionet parlamentare dhe mbulim qiraje përt deputetët që nuk banojnë në Tiranë. Këto përfitime shtesë janë përtej pagës bazë dhe mbështeten nga parashikimet e “Statusit të Deputetit”.

Një tjetër zë që bie në sy është ai i udhëtimeve jashtë shtetit, ku vetëm për bileta, dieta dhe akomodim janë shpenzuar 60 milionë lekë në një vit, ndërsa Kuvendi e klasifikon këtë si një nëngrup të konsiderueshëm të shpenzimeve operative.

Në total, pagat dhe kontributet shoqërore për deputetët dhe administratën kapin vlerën e 1.2 miliardë lekëve, ndërsa struktura e burimeve njerëzore tregon se deputetët përbëjnë 32% të numrit faktik, stafi politik 14%, nëpunësit civilë 44% dhe personeli mbështetës 10%.

Shpenzime të tjera të konsiderueshme përfshijnë:

  • 11 milionë lekë honorare për ekspertë të jashtëm
  • 16 milionë lekë për ekzekutime vendimesh gjyqësore
  • 49 milionë lekë për mirëmbajtje sistemesh elektronike dhe pajisjesh
  • 14 milionë lekë për mirëmbajtje zyrash
  • 28 milionë lekë për ujë, energji, transport dhe kancelari

Në planin e investimeve, Kuvendi ka orientuar fonde të rëndësishme drejt teknologjisë, ku spikat 30 milionë lekë për sistemin e transkriptimit audio-video me inteligjencë artificiale, 5.6 milionë lekë për sistemin e ndërveprimit me publikun dhe 1.2 milionë lekë për aplikacionin e ri “Kuvendi i Shqipërisë”.

Po ashtu, institucioni ka blerë dy automjete me vlerë 14.5 milionë lekë, si dhe ka shpenzuar 23 milionë lekë për arredim zyrash, ku përfshihen tapete ceremoniale, ndriçues për sallat e komisioneve dhe mobilim për komisionet e reja të përhershme.

Në një kohë kur qytetarët përballen me rritje kostosh dhe presion ekonomik, shifra prej 200 milionë lekësh për dieta dhe privilegje parlamentare rihap debatin mbi raportin mes përfaqësimit politik dhe barrës që i faturohet taksapaguesve.