Cënohet siguria kombëtare?

Hetimet e SPAK për aferën e AKSHI-t kanë zbuluar të dhëna tejet shqetësuese, që ngrenë pikëpyetje serioze jo vetëm për korrupsionin institucional, por edhe për sigurinë kombëtare. Në zyrën e Ergys Agasit është gjetur një pajisje përgjimi si dhe një USB që përmban rreth një vit përgjime, të cilat sipas burimeve hetimore përfshijnë përgjime operative, ambientale dhe materiale të shkruara.

Ekzistenca e këtyre provave është konfirmuar publikisht edhe nga eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i cili gjatë një interviste në MCN deklaroi se kjo USB “ka marrë në qafë tërë shtetin”.

“Një USB ka marrë në qafë tërë shtetin. Përgjimet e gjetura në zyrën e Ergys Agasit, teknologjia e përdorur aty, ka marrë më qafë zyrën e shtetit. Aty ka dalë shejtani nga shishja dhe nuk po e fut dot askush më. Kjo USB ka një vit përgjime”, u shpreh Kulla.

Sipas tij, ambasada amerikane u ka anuluar vizat disa personave të hetuar për grup të strukturuar kriminal në këtë dosje, mes tyre edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirilda Karçanaj.

Agasi, i cili përflitet edhe për lidhje me struktura të sigurisë, vijon të jetë në kërkim. Ndaj tij dhe ndaj biznesmenit Ermal Beqiri është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për drejtoreshën dhe zëvendësdrejtoreshën e AKSHI-t, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest në shtëpi”.

Gjatë kontrolleve në një nga banesat e Agasit, agjentët e BKH-së kanë konstatuar gjithashtu një koleksion luksoz verërash të vjetruara, me vlerë të përllogaritur rreth 3 milionë euro. Bëhet fjalë për verëra 70 deri në 100-vjeçare, të cilat janë sekuestruar me urdhër të prokurorit. Sipas burimeve, është tentuar ndërrimi i shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi koleksioni ishte fotografuar dhe dokumentuar më herët nga grupi i hetimit.

Agasi akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me akuza që përfshijnë pengmarrje dhe detyrim përmes dhunës për tërheqje nga tenderat e AKSHI-t, duke favorizuar kompani të paracaktuara.

Çështja ka ngritur shqetësime të forta për cenimin e Sigurisë Kombëtare, pasi AKSHI është një nga institucionet më sensitive në vend. Agjencia administron sistemet kryesore të qeverisjes digjitale përmes platformës e-Albania, përfshirë edhe të dhëna që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike kombëtare.

Përfshirja e një grupi të strukturuar kriminal në funksionimin e këtij institucioni ngre dyshime serioze mbi kufirin mes korrupsionit administrativ dhe rrezikut real për sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.