BE pritet të rrisë presionin ndaj qeveris

Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar zhvillimet politike rreth çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se situata e krijuar ka nxjerrë në pah një përplasje mes standardeve morale europiane dhe qasjes së politikës shqiptare.

I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në Syri TV, Vangjeli u shpreh se në hapësirën e Bashkimit Evropian ekziston një “kod moral i pashkruar”, sipas të cilit një politikan përballet me dorëheqjen edhe vetëm në rast dyshimi serioz, për të ruajtur integritetin e institucioneve.

Sipas tij, prezumimi i pafajësisë funksionon ndryshe për një qytetar të zakonshëm dhe ndryshe për një zyrtar të lartë publik. Për politikanët, edhe dyshimi për përfshirje në një çështje penale mund të jetë i mjaftueshëm për të kërkuar një hap pas.

“Dorëheqja si akt moral është pjesë e kodit të pashkruar që funksionon në vendet e Bashkimit Evropian. Në politikë, ndonjëherë edhe vetëm dyshimi është pothuajse i barabartë me fajësinë në planin moral”, tha Vangjeli.

Ai theksoi se situata e krijuar rreth Ballukut mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse qasja e institucioneve dhe e politikës do të kishte qenë më e zakonshme dhe në përputhje me standardet europiane.

Sipas analistit, zhvillimet e ardhshme pritet të ndjekin dy drejtime kryesore.

E para lidhet me përshkallëzimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Vangjeli u shpreh se dosja është komplekse dhe mund të përfshijë edhe emra të tjerë, duke nënkuptuar zgjerim të hetimeve në nivele të tjera të administratës apo politikës.

Drejtimi i dytë, sipas tij, është reagimi i partnerëve europianë, të cilët mund të shtojnë presionin ndaj qeverisë shqiptare për mënyrën se si po menaxhohet kjo çështje.

“Do të ketë përshkallëzim të veprimeve të SPAK në këtë dosje, që është një dosje me shumë fraksione dhe ku mund të dalin emra të tjerë. Ndërkohë pritet edhe reagimi i partnerëve evropianë. Presioni do të rritet”, deklaroi ai.

Në këtë kontekst, Vangjeli vlerësoi se SPAK po vepron në përputhje me rolin e tij institucional, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama, sipas tij, ndodhet në një rol politik të gabuar në mënyrën se si po e trajton situatën.