Pas tre ditësh të kaluara në Shqipëri, mes gostive zyrtare, protokolleve të tepruara dhe një entuziazmi lokal që shpesh kalon në bezdi, Ivanka Trump ka ndarë më në fund përshtypjet e saj nga ajo që promovohet si “Magical Albania”.

Në albumin e publikuar prej saj, Shqipëria përfaqësohet nga tre imazhe simbolike: Ishulli i Sazanit, i përshkruar si “magjik” në mes të një deti të mrekullueshëm; Manastiri i Zvërnecit, i paraqitur si një hapësirë paqeje; dhe — në mënyrë jo pak ironike — një lopë indiferente që kullot në bregdet, e vetmja qenie e gjallë e përfshirë në galerinë fotografike.

Një përzgjedhje që, përtej estetikës, ngjan më shumë me një mesazh të heshtur: shumë dekor, pak jetë reale. Asnjë gjurmë nga qytetet, njerëzit, apo realiteti social i vendit, por vetëm peizazhe dhe një kafshë që duket krejtësisht e painteresuar për narrativën “magjike”.

“Thank you, Lady”, do të thoshin disa me ironi. Sepse ndonjëherë, një lopë në breg flet më shumë se dhjetë fjalime promocionale.