Vëllai i 25-vjeçarit Kevin Muharremi, i cili u vra pak ditë më parë në Itali, ka reaguar publikisht duke paralajmëruar për tentativa mashtrimi që po qarkullojnë në emër të familjes së tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale dhe në faqen e biznesit që administronte së bashku me të vëllain, Elvis Muharremi ka sqaruar se familja nuk ka hapur asnjë llogari për mbledhje fondesh në platformën GoFundMe apo në faqe të tjera të ngjashme.

“Ju lutem mos hidhni lek askund”, i vëllai i të riut

Ai u bën thirrje bashkëatdhetarëve të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos dërgojnë para në asnjë adresë që pretendohet se është në ndihmë të familjes.

“Jam Elvis Muharremi, vëllai i Kevin Muharremit që është vrarë më 14 shkurt 2026. Ne nuk kemi hapur asnjë lloj llogarie apo GoFundMe që të na ndihmoni. Ju lutem shumë mos hidhni lekë askund. Na lini të qetë në dhimbjen tonë”, shkruan ai në reagimin publik.

Ndërkohë, mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë. Sipas tyre, i riu shqiptar u qëllua me tre plumba më 14 shkurt, duke humbur jetën në vend. Autoritetet kanë arrestuar si të dyshuar për krimin bashkatdhetarin e tij, Renato Xyke, 20 vjeç, i cili ndodhet tashmë në pranga.

Familjarët kërkojnë që në këtë moment të vështirë të respektohet dhimbja e tyre dhe paralajmërojnë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo nisme që pretendon mbledhje fondesh në emrin e familjes Muharremi.