Hetimet e SPAK në dosjen e AKSHI-t, përtej dyshimeve për ndikim të një grupi kriminal, kanë zbuluar edhe një skemë të dyshuar transferimi dhe pastrimi parash përmes faturimeve fiktive. Sipas hetimeve, vetëm gjatë tre viteve – 2018, 2020 dhe 2021 – rreth 10 milionë euro janë qarkulluar drejt një kompanie që ushtron aktivitet në tregtinë e çokollatave dhe biskotave.

Në këtë dosje është proceduar edhe biznesmeni Rogers Rryta. Nga aktet hetimore rezulton se ai, së bashku me të atin, zotëron kompaninë “MEGA DISTRIBUTION”, e cila operon në fushën e import-eksportit të produkteve ushqimore dhe veshjeve.

Gjatë deklarimeve të dhëna përpara Byrosë Kombëtare të Hetimit, Rryta ka pohuar se kompania e tij përfaqëson markën “ULKER” dhe se aktiviteti kryesor lidhet me tregtimin e produkteve ushqimore. Ai ka theksuar se “MEGA DISTRIBUTION” nuk ka asnjë lidhje me fushën e teknologjisë apo me produkte IT.

Biznesmeni ka pranuar se ka pasur marrëdhënie tregtare me kompanitë “Fastech” dhe “Soft & Solution”, por ka deklaruar se nuk mban mend mënyrën se si ka nisur kjo bashkëpunim, në kohën kur ai ishte administrator i shoqërisë.

Pjesë nga dosja – “10 milionë euro çokollata dhe biskota”

Deklarimi i biznesmenit Rogers Rryta:

“Lidhur me kreditimet me fonde të vazhdueshme gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, në shumë totale mbi 10 milion euro në llogaritë bankare të subjektit të tij, në bankat BKT dhe Credins, në monedhën euro, USD dhe ALL, deklaron se janë pagesa ndaj faturave që bëhen për shitjet. Këto fatura lidhen me shitjen e çokollatave dhe biskotave.

Këto fonde janë përdorur për të vazhduar aktivitetin tregtar që ai ka. Nuk ka dijeni për aktivitetin tregtar që kryejnë subjektet ‘Fastech’ sh.p.k. dhe ‘Soft & Solution’ sh.p.k. Nuk njeh shtetasin Ermal Begri, nuk ka pasur ndonjëherë marrëdhënie me të. Nuk njeh shtetasin Andis Papu, nuk ka pasur ndonjëherë marrëdhënie me të.

Në të njëjtin qëndrim deklaron edhe lidhur me shtetasit Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj.”

Ndaj Rogers Rrytës, SPAK në bashkëpunim me GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “bllokim pasaporte”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar.

Ndër provat kryesore të administruara nga BKH dhe SPAK është edhe një mini-kamerë digjitale, e cila për më shumë se një vit ka regjistruar me audio dhe video takimet që Ergys Agasi zhvillonte në zyrën e tij. Sipas dosjes, në këto takime kanë qenë të pranishëm biznesmeni Ermal Beqiri, si dhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Kërcanaj.