
Naim Noka
Ndërsa kryeministri pluskonte në lëndinën plot emocione nga letra “personale” e presidentit Trump, spitali ku qindra pacientë janë të shtruar në zemër të Tiranës kaloi orë të tëra pa energji elektrike. Edhe pas bombardimeve izraelite, spitalet e Gazës kishin energji! Çfarë ironie!
Qindra milionë euro të shpërdoruara me PPP-të e Ilir Beqes dhe Ogerta Manastirliut, dhe ende nuk kemi siguruar energji elektrike në QSUT?! Pastaj mendon: po mirë, spitaleve private të Klodit, pse nuk u ikin dritat?!
Po imagjinoj nënën time të shtruar në reanimacion, ose një sallë kirurgjie gjatë një operacioni emergjent. Pastaj po imagjinoj një fëmijë të intubuar. Dhe më pas, kurvërimin mediatik të përsosur për pasaportën europiane, grup-kapitujt e tërci e vërci!
Bah, sa i mallkuar paskësh qenë ky komb, që kushedi çfarë do të shohë akoma nga ato që nuk kemi parë ende: të përmbytur, të papunë, pa gjykata, me policë-ushtarë të bandave të Gys Agasit, me ushqime importi që s’ka kush t’i kontrollojë, me rrugë të pasigurta, me naftën më të shtrenjtë në Europë.
Kur nuk kemi një spital shtetëror as sa Gaza, por kemi ish-zëvendëskryeministra de facto si Ergys Agasi, ose zëvendëskryeministre të pandehur si Belinda Balluku; kemi gjyqtarë që gjoja mbrojnë Kushtetutën; kemi opozitarë si Sali Berisha i I-rë – e çfarë nuk kemi në këtë vend të vogël të 1001 çudive.
Dhe këtu nuk flasim më për incidente teknike, por për krim shtetëror me pasoja potencialisht fatale. Energjia elektrike në një spital nuk është luks, nuk është komoditet, nuk është “defekt i rastësishëm” – është kusht minimal për jetën. Kur ajo mungon, përgjegjësia nuk është e një tekniku, por e një sistemi të tërë që ka zgjedhur të investojë në fasada, propagandë dhe pasuri private, në vend që të mbrojë qytetarin në momentin më të pambrojtur të tij. Në një vend normal, pas një ngjarjeje të tillë do të kishim dorëheqje, hetime penale, arrestime. Këtu kemi heshtje, relativizim dhe një ushtri mediash që merren me emocionet e kryeministrit, jo me frymëmarrjen e pacientëve.
QSUT nuk është thjesht një spital. Është pasqyra më brutale e kësaj Republike: një shtet që funksionon vetëm kur ka kamera, që ndizet vetëm kur ka interes politik dhe që fiket sapo qytetari mbetet vetëm me dhimbjen e tij.
Nëse sot mungon drita në reanimacion, nesër do të mungojë oksigjeni, pasnesër mjeku, dhe një ditë edhe vetë ideja e shtetit. Sepse një vend që nuk mbron jetën, nuk ka as sovranitet, as dinjitet, as të ardhme ka vetëm propagandë, frikë dhe një errësirë që po bëhet gjithnjë e më normale.






