Shqipëria rrezikon dhe IPARD III
IPARD II, auditimet zbulojnë shkelje, OLAF konfirmon 33 milionë euro fonde të papërshtatshme
Pas hetimit të ndërmarrë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dy vite më parë, programi IPARD II ka kaluar në një tjetër sitë kontrolli, këtë herë nga institucionet shtetërore vendase. Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, e Akredituar nga BE (AAPAA), ka publikuar raportin vjetor për 2024, ku janë pasqyruar gjetje dhe shkelje serioze gjatë zbatimit të programit.
Auditimi për vitin 2023 dhe 2024
Sipas raportit, për vitin financiar 2023 janë përfunduar:
- Auditimi i operacioneve,
- Auditimi i llogarive,
- Raporti dhe opinioni vjetor i auditimit,
- Ndjekja e gjetjeve dhe rekomandimeve të mëparshme.
Ndërkohë, për vitin financiar 2024, auditimi i sistemit është përmbyllur në shtator, ndërsa kontrolli i operacioneve parashikohet të mbyllet në janar 2025. Po ashtu është finalizuar edhe Strategjia e Auditimit 2025–2027, e cila iu dorëzua Brukselit në nëntor 2024.
Burime konfirmojnë se në raport përfshihen një sërë shkeljesh dhe opinione kritike, të cilat nuk janë publikuar në faqen zyrtare, por i janë dorëzuar Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave.
Skandali i fondeve dhe ndërprerja e financimeve
Programi IPARD II, me një total prej 94.6 milionë eurosh (71 milionë euro të financuara nga BE), u zbatua në periudhën 2018–2023. Fondet shkuan për investime në ferma, përpunim qumështi, mishi dhe fruta-perimesh. Në korrik 2023, Komisioni Europian ndërpreu përkohësisht financimet pas dyshimeve për korrupsion.
Një vit më pas, OLAF konfirmoi se 33 milionë euro fonde të shpërndara në thirrjet e para dhe të dyta ishin të papërshtatshme, duke ngritur dyshime serioze për abuzime të strukturuara me paratë e BE-së.
Pagesat e mbetura dhe afatet strikte
Pas mbylljes së programit në dhjetor 2023, Brukseli dha një shtyrje njëvjeçare për të kryer pagesat e mbetura. Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj sqaroi se afati për dorëzimin e dokumentacionit nga subjektet është 6 muaj dhe shkelja e tij sjell automatikisht refuzimin e pagesave.
“Në rastet kur konstatojmë se subjektet nuk kanë sjellë dokumentacionin në afatin e duhur, nuk mund t’i paguajmë. Rregullorja është strikte dhe nuk parashikon tolerime”, – deklaroi Denaj.
Nga IPARD II drejt IPARD III
Ndërkohë që programi IPARD II është mbyllur mes dyshimeve dhe hetimeve, qeveria shqiptare dhe Brukseli po përgatisin hapjen e IPARD III në vitin 2026. Ky program do të ketë një fond prej 146 milionë eurosh – rreth 55% më shumë se IPARD II – dhe do të përfshijë 9 masa financimi, krahasuar me vetëm 3 që kishte programi i kaluar.






