Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, prej kohësh ka qenë në qendër të vëmendjes për qëndrimet e tij kontradiktore, stilin teatral të komunikimit publik dhe përfshirjen në një mori skandalesh që tashmë po mbërrijnë në dyert e SPAK-ut. Me katër akuza të rënda, duke përfshirë korrupsionin pasiv dhe aktiv, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave, Veliaj duket se ka hyrë në një rrugë pa kthim.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Veliaj ka zgjedhur të qëndrojë i qetë në dukje, duke përdorur retorikë që shpesh kufizohet me absurdin. Nga deklarata për “kolegun hetues” pas dëshmisë 7-orëshe te SPAK-u, deri te justifikimet e tij për kontrollet e BKH-së në shtëpinë e tij dhe të afërmve, çdo dalje publike e kryebashkiakut duket si një akt i fundit i një tragjikomedie politike.

Audio-përgjimi dhe Synimi për të Kontrolluar FSHF-në

Një nga episodet më të zhurmshme në karrierën e Veliajt mbetet tentativa e tij e dështuar për të marrë nën kontroll Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Audio-përgjimet e bëra publike në vitin 2022 zbuluan një Veliaj agresiv, duke përdorur gjuhë vulgare dhe kërcënuese ndaj kundërshtarëve të tij. “Jo UEFA e FIFA, por sikur Zoti dhe Muhamedi të zbresin, nuk e ndalin luftën time,” deklaronte Veliaj, duke lënë të kuptohej se ai e shihte veten të paprekshëm, madje edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ne i kemi b*let prej hekuri. Kush më ka provuar në këtë qytet i di punët e mira që janë bërë, i vetmi ishull që ka mbetur komplet pa vënë dorë është futbolli.

Ky episod jo vetëm që e demaskoi Veliajn si një politikan që synon të manipulojë çdo institucion, por ngriti pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si ai përdor lidhjet politike dhe institucionet e drejtësisë për të shtypur kundërshtarët.

Manipulatori me  SPAK-un dhe BKH-në

Kur Veliaj dëshmoi për herë të parë në SPAK për çështjen e inceneratorëve, ai e paraqiti këtë akt si një “bashkëpunim të frytshëm” me institucionet e drejtësisë. Megjithatë, realiteti qëndron ndryshe. Hetimet e BKH-së, të cilat përfshinë kontrolle në shtëpinë e tij, të bashkëshortes Ajola Xoxa dhe të vëllait të tij, nxorën në dritë një pasuri të dyshimtë që Veliaj dhe të afërmit e tij nuk mund ta justifikonin.

Në vend që të ballafaqohej me faktet, Veliaj zgjodhi një qasje tjetër: ai shigjetoi SPAK-un, duke e akuzuar për keqpërdorim të pushtetit dhe për ndërhyrje politike. Duke krijuar një narrativë viktimizuese, ai tentoi të zhvendoste vëmendjen nga vetja, duke fajësuar opozitën dhe gazetarët për një “kurth” të sajuar.

Veliaj i papërgjegjshëm dhe teatral në Këshillin Bashkiak

Duke shfrytëzuar mbledhjet e Këshillit Bashkiak për të folur për çështjet e tij personale, Veliaj demonstroi edhe një herë mungesën e tij të theksuar të profesionalizmit dhe etikës. “Në maj do t’ju mundim me gjithë letrat anonime,” deklaroi ai, duke treguar se për të politika mbetet një lojë propagandistike, ku viktimat e vërteta janë qytetarët e Tiranës, të cilët presin zgjidhje për problemet e tyre.

Fund i pashmangshëm për zdromsin

Ndërsa hetimet vazhdojnë, një gjë është e sigurt: Veliaj, i njohur për aftësinë e tij për të ndërtuar një imazh të rremë publik, po përballet  me  SPAK-un  dhe nëse prokuroria do të arrijë të zbatojë ligjin pa ndikime politike, atëherë karriera e Erion Veliajt po  përfundon një herë e mirë, duke shënuar kështu një precedent të rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.