Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për hetimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe plagosjes së Muçi Shaljanit, ngjarje e ndodhur në muajin nëntor pranë aeroportit të Rinasit.

Burime zyrtare bëjnë me dije se, pas kryerjes së verifikimeve paraprake, organi i akuzës në Tiranë ka arritur në përfundimin se çështja i takon për kompetencë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për shkak të natyrës dhe rrethanave të krimit.

Si ndodhi atentati?

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 11 nëntorit, pranë aeroportit të Rinasit. Nga një breshëri plumbash mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa i plagosur mbeti Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”.

Dani dhe Shaljani po lëviznin me një automjet tip “Benz” të bardhë luksoz, kur autorët, që udhëtonin me një tjetër mjet, u kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Në automjetin në pronësi të Elvis Kosovës, shofer ishte Muçi Shaljani, punonjës i AMP-së, ndërsa Gilmando Dani ndodhej në vendin e pasagjerit. Mësohet se Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona dhe u ekzekutua vetëm pak minuta pasi kishte hipur në makinë.

Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës me një automjet tip “Toyota Yaris” me targa greke. Vetëm pak minuta më vonë, makina e përdorur në krim u gjet e djegur në fshatin Halil.

Tashmë pritet që SPAK të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit mafioz dhe identifikimin e autorëve.