Rregullore e re për projektet strategjike të infrastrukturës
Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregulloren për kreditimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, duke favorizuar qartë partneritetet publike-private (PPP) dhe bankat tregtare që i financojnë ato. Rregulloret e reja synojnë të ulin peshën e rrezikut për kreditë që shkojnë në projekte strategjike transporti dhe të zgjerojnë hapësirat e financimit bankar për këto projekte, shumica prej të cilave janë koncesione afatgjata të lidhura me kompanitë e afërta me qeverinë.
Kredia për infrastrukturën, më e lehtë dhe më pak e rrezikshme për bankat
Sipas vendimit të fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kreditë për ndërtimin apo përmirësimin e infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale do të konsiderohen me një peshë rreziku prej 50%, nga 100% që ishte më parë. Kjo do të thotë se bankat do të kenë më pak detyrim kapital për të mbuluar rrezikun e këtyre huave, duke i bërë më të leverdishme për t’u dhënë.
Në rregullore përcaktohet qartë se ky favor vlen vetëm për ato projekte ku qeveria shqiptare është përfituesi final, kredia ka afat maksimal 10-vjeçar, dhe ku të paktën dy të tretat e të ardhurave të projektit përdoren për shlyerjen e huasë. Po ashtu, kërkohet që banka të ketë kontroll të lartë mbi asetet dhe flukset financiare të projektit.
Kjo lehtësi do të vlejë për të gjitha kreditë që do të lëshohen deri më 31 dhjetor 2026, për sa kohë nuk e kalojnë afatin maksimal të parashikuar prej 10 vitesh.
Bankat, financueset e fshehta të PPP-ve luksoze
Sektori bankar shqiptar ka rritur dukshëm angazhimin në financimin e projekteve të PPP-ve, veçanërisht në infrastrukturë. Disa nga projektet e financuara përmes huave të mëdha janë:
- “Marina Vlorë”, një port luksoz për jahte me kompleks rezidencial dhe hotelier, financuar me 17 milionë euro nga Tirana Bank;
- Rruga Thumanë-Kashar, projekt i financuar nga një kredi sindikale prej mbi 30 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank;
- Segmenti Orikum-Llogara, financuar me 26 milionë euro nga Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank;
- Rruga e Arbrit, me një hua të miratuar prej 9.5 miliardë lekësh për kompaninë “Gjoka 87” nga BKT, prej të cilave janë disbursuar realisht vetëm 4.4 miliardë lekë;
- Rruga e Kombit, me një kredi prej 28.5 milionë euro dhënë kompanisë “Albania Highway Concession” nga BKT.
Asnjë garanci nga shteti, por bankat ekspozohen vetë
Në të gjitha këto projekte, shteti nuk ofron garanci sovrane për kreditë e dhëna. Pavarësisht rrezikut të lartë dhe mungesës së garancisë, bankat shqiptare kanë treguar “oreks” të madh për të financuar këto projekte, ku përfituesit finalë janë shpesh kompani të lidhura me segmente të fuqishme të politikës.
Ndryshimet rregullatore të Bankës së Shqipërisë vijnë si propozim nga Shoqata Shqiptare e Bankave, një tregues i qartë i bashkëpunimit mes sektorit bankar dhe autoriteteve për të mbështetur projekte që ndryshe do të ishin shumë më të vështira për t’u financuar.
Përfituesit e vërtetë?
Ndërsa teorikisht këto masa mund të lehtësojnë ndërtimin e infrastrukturës kombëtare, në praktikë ato rrisin rrezikun e përqendrimit të kapitalit publik në projekte klienteliste dhe pa transparencë. Qeveria jo vetëm që nuk ofron garanci, por edhe mban një rol pasiv në monitorimin e këtyre kredive, duke ia lënë barrën bankave dhe për pasojë, qytetarëve në rast dështimi.
Në një klimë të rritur mosbesimi ndaj PPP-ve dhe koncesioneve të dyshimta, këto ndryshime rregullatore ngrejnë pikëpyetje serioze: Po krijohet një sistem ku rreziku privatizohet dhe përfitimi përqendrohet, pa ndonjë kontroll të qartë publik.






