Skandal me rimbursimin e TVSH: Shteti i dha 40 milionë euro Bankers Petroleum, kompania nën hetim për mashtrim financiar

Publik.al | 17 Korrik 2025

Rreth 300 milionë euro janë ndarë nga Thesari i Shtetit për 10 kompani përgjatë vitit të kaluar, ku më shumë se 13% e kësaj shume, afro 40 milionë euro, ka përfunduar në llogaritë e Bankers Petroleum Albania, një kompani e cila prej vitesh ndodhet nën hijen e hetimeve për mashtrim dhe evazion fiskal.

Të dhënat e analizuar nga OpenData zbulojnë se Bankers është e vetmja kompani në listën e përfituesve të mëdhenj që ka marrë pagesa jo për punë të realizuara apo shërbime të ofruara me tendera publikë, por për rimbursim të TVSH-së, në bazë të kontratës koncesionare që ka me shtetin shqiptar.

Por pagesat e mëdha për kompaninë nuk përkojnë me bilancet që ajo ka deklaruar. Ndërkohë që ka eksportuar rreth 5 miliardë euro naftë, Bankers ka deklaruar humbje prej 110 milionë eurosh, duke shmangur pagesën e tatim-fitimit dhe njëkohësisht duke përfituar miliona euro në formë rimbursimi nga shteti shqiptar.

Prokuroria e Fierit ka regjistruar një procedim penal ndaj Bankers, duke e akuzuar për manipulim të qëllimshëm të shpenzimeve për të simuluar humbje financiare, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e TVSH-së. Skema dyshohet të jetë ngritur përmes nënkontraktimeve fiktive me kompani që nuk ekzistonin realisht në terren dhe që shërbenin vetëm për të fryrë fiktivisht bilancet.

Kompania pretendon se shteti shqiptar i detyrohet ende 30 milionë euro të tjera për TVSH të pashlyer, ndërsa autoritetet fiskale dhe institucionet ligjzbatuese nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për këtë çështje.

Nuk është hera e parë që Bankers Petroleum përballet me akuza të kësaj natyre. Që në vitin 2012, një hetim i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) zbuloi një skemë të ngjashme nënkontraktimi fiktiv, e cila përfundoi në një përballje në arbitrazh ndërkombëtar, ku qeveria shqiptare pretendon se e ka fituar çështjen.

Skandali ngre shqetësime serioze mbi mënyrën si menaxhohen fondet publike dhe rimbursimet fiskale ndaj kompanive të huaja që operojnë në sektorët strategjikë si ai i naftës. Ndërkohë që fermerët, bizneset e vogla dhe qytetarët e zakonshëm përballen me rritje të taksave dhe kontrolle të forta fiskale, një kompani e madhe si Bankers përfiton dhjetëra miliona euro nga buxheti, ndërkohë që deklaron humbje.