Skandali i Mosdeklarimit të Pasurive: Rasti i Kompanive të Fshehura të Leskajt

Hetimet e fundit kanë zbuluar një skemë të dyshimtë të fshehjes së pasurive dhe shmangies së deklarimit nga zyrtari shqiptar, i cili për vite me radhë ka përdorur kompani të regjistruara në parajsa fiskale për të mbajtur të fshehura pronësitë e tij të vërteta. Në qendër të këtij skandali ndodhet kompania “IKONS GLOBAL LIMITED” dhe lidhjet e saj me entitete të tjera të regjistruara në Maltë dhe Shqipëri.

Fshehja e pronësisë përmes larajsave fiskale

Sipas të dhënave të siguruara nga procesi i “Vetting”-ut, Leskaj deklaroi për herë të parë në vitin 2017 themelimin e një dege të “IKONS GLOBAL LIMITED” në Angli. Megjithatë, që nga ajo kohë ai nuk ka bërë asnjë deklarim në ILDKPKI lidhur me të ardhurat, shpenzimet apo lëvizjet e aksioneve të kësaj kompanie, duke shkelur detyrimet ligjore mbi transparencën financiare të zyrtarëve publikë.

Në vitin 2018, një tjetër degë e kësaj kompanie u themelua në Maltë – një parajsë fiskale e njohur për fshehjen e pasurive të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lartë. Kjo kompani guackë, e cila kontrollon aksione në “IKONS GLOBAL LIMITED”, nuk është përfshirë fare në deklaratat e pasurisë së Leskajt, duke ngritur dyshime të forta mbi qëllimet e saj.

Më tej, dokumentet zyrtare tregojnë se kompania malteze është nën pronësinë e një tjetër kompanie, “Blessed Investment Limited”, e cila ka si pronar fundor kompaninë shqiptare “Blessed Investment” sh.p.k. Kjo e fundit është një nga aksionerët kryesorë në disa kompani që kanë përfituar fonde publike, përfshirë investime në parqe fotovoltaike, “IKONS” sh.p.k. dhe “ABKONS” sh.p.k.

Tenderat Publikë dhe Konflikti i Interesit

Përtej fshehjes së pasurisë, një tjetër skandal i madh është përfshirja e kompanive të lidhura me Leskajn në tendera të rëndësishëm publikë. Një rast i tillë është tenderi i marsit 2021, ku “IKONS” sh.p.k., në bashkëpunim me kompaninë italiane “BGP Management Consulting” spa, fitoi një kontratë prej 1 milion eurosh (107 milionë lekë) nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) për implementimin e sistemeve ERP për menaxhimin financiar dhe burimet njerëzore.

Ky tender u karakterizua nga shkelje të rënda, pasi të gjithë konkurrentët e tjerë u skualifikuan, duke i hapur rrugën fituesit të paracaktuar. Për këtë garë pati ankesa të shumta, por ato u refuzuan nga administratori Besjan Kadiu, duke shtuar dyshimet për manipulime dhe favorizime në procesin e prokurimit publik.

Pasojat Ligjore dhe Rreziku Penal

Sipas avokatit Ramaj, mosdeklarimi i këtyre të dhënave përbën një vepër penale dhe përfshihet në Kodin Penal si fallsifikim i dokumenteve zyrtare. Çdo zyrtar që nuk deklaron pasuritë e tij ose jep deklarime të rreme rrezikon ndjekje penale nga prokuroria dhe përballje me drejtësinë.

Kjo çështje vë në pah jo vetëm problemet e transparencës së zyrtarëve publikë, por edhe mënyrën se si tenderat e rëndësishëm shpërndahen në mënyrë të dyshimtë, duke dëmtuar konkurrencën dhe duke favorizuar interesa të caktuara.

Lidhjet e drejtoreve të Ballukut me biznesmenin Besnik Leskaj


Lidhjet e drejtorëve të z/kryeministres Balluku me biznesmenët më të fuqishëm në vend nuk janë një rastësi. Drejtoreshat në Ministrinë e Infrastrukturës, Erjola Muka dhe Irena Malolli rezultojnë të lidhura indirekt me biznesmenin Besnik Leskaj, që ka kontratë koncesioni me Ministrinë e Infrastrukturës dhe mund të përfitojë nga vendimet apo mund të monitorohet nga njësi të varura nga këto të fundit.

Prej gati 3 vitesh Erjola Muka është Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe më përpara ka punuar administratore e kompanisë publike “Albpetrol” sh.a, po në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ndërkohë bashkëshorti i saj, Redion Biba rezulton administrator i kompanisë “ABKONS” sh.p.k në pronësi të kompanisë “Blessed Investment” e biznesmenit Besnik Leskaj dhe Redjan Bashës.

Nga ana tjetër, prej shumë vitesh Irena Malolli është Drejtoreshë e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe rezulton bashkëshortja e Sokol Malollit. Ky i fundit ka qenë i punësuar pranë kompanisë “ABKONS” sh.p.k dhe si drejtor pranë kompanisë “IKONS”, edhe kjo në pronësi të Besnik Leskaj si aksioner kryesor dhe 25% të aksioneve në zotërim të Josif Gjanit.

Sipas avokatit Arben llangozi, çdo lloj veprimi apo kontrate që lidhet në dukje me konflikt interesi meriton një kallëzim penal.

Rasti i kompanive të lidhura me Leskajn është një shembull i qartë i përdorimit të strukturave të ndërlikuara për të shmangur deklarimin e pasurive dhe për të siguruar përfitime të dyshimta nga fondet publike. Me lidhje që shtrihen nga Shqipëria në Angli, Maltë dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale, ky skandal kërkon një hetim të thelluar nga organet ligjzbatuese për të vënë drejtësi dhe për të ndaluar praktika të tilla korruptive në administratën publike shqiptare.