Operacioni i SPAK kundër mashtrimeve financiare përmes call center-ave vijon të zgjerohet. Autoritetet kanë vënë në pranga në Tiranë shtetasin italian Cosimo Notari Stefano, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet si pjesë e një rrjeti që mashtronte qytetarë të huaj me investime të rreme në tregjet financiare.

Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa hetuesit e konsiderojnë të ndaluarin pjesë të një grupi të strukturuar që operonte kryesisht me skema të rreme Forex dhe kriptomonedhash, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për viktimat, shumica shtetas italianë.

Hetimet dhe roli i mediave italiane

Sipas burimeve zyrtare, hetimi nisi më 9 janar 2026 pas provave të siguruara nga gazetarë italianë të emisionit investigativ Le Iene dhe pas denoncimeve të qytetarëve që raportuan mashtrime dhe humbje të konsiderueshme. Një shtetas italian u infiltrua në ambientet e call center-it, duke siguruar të dhëna konkrete mbi mënyrën e funksionimit të skemës.

Aktiviteti dyshohet se zhvillohej në godinën Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë. Sipas hetimeve, operatorët telefononin qytetarë të huaj dhe i bindnin të investonin në platforma të rreme investimi në Forex dhe kriptomonedha. Paratë transferoheshin në forma virtuale, ndërsa përfundonin në llogari të kontrolluara nga organizatorët e skemës.

Prokuroria thekson se drejtuesit e aktivitetit kishin marrë masa të forta sigurie, duke vendosur kamera dhe persona vëzhgimi jashtë ambienteve për të sinjalizuar çdo kontroll të mundshëm.

Boshatisja e zyrave dhe ndërhyrja e BKH

Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshuan për një aksion të mundshëm policor, përgjegjësit boshatisën zyrat në kullë dhe larguan pajisjet elektronike gjatë natës. Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byroja Kombëtare e Hetimit kapën në flagrancë gjashtë persona teksa transportonin kompjuterë dhe serverë drejt një ambienti në Bulevardin “Bajram Curri”. Një pjesë e pajisjeve dyshohet se po tentohej të asgjësohej.

Në kuadër të operacionit u ndaluan edhe dy persona të tjerë, ndërsa në kërkim janë shpallur tre shtetas, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Sipas hetimeve, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, që operon në fushën e call center dhe telemarketingut.

Në pranga kanë përfunduar Remir Gjoligaj, David Qerimi, Endri Gjata, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.

Sekuestrime dhe prova materiale

Gjatë kontrolleve në 28 ambiente – banesa, zyra, automjete dhe garazhe – autoritetet sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, karta SIM, dokumente dhe kamera sigurie. Mes sendeve të sekuestruara ndodhet edhe një automjet luksoz tip Ferrari, që dyshohet se lidhet me organizatorët e skemës.

Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht rrjetin e mashtrimit financiar që dyshohet se operonte prej kohësh në Shqipëri.