Harxhon miliona euro për miqtë e tij në banka e kompani IT, por harron numëruesit e KQZ
Publik.al – Prej muajsh, dhjetëra anëtarë të komisioneve zgjedhore që shërbyen gjatë ditës së zgjedhjeve presin ende pagesat për punën e kryer. Ata kanë numëruar vota deri në orët e vona të natës, kanë përmbushur çdo detyrë ligjore, por në llogaritë e tyre nuk ka mbërritur asnjë qindarkë.
Ndërkohë, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vazhdon të shpërndajë miliona euro tendera tek të njëjtët emra të privilegjuar Renis Tershana i “Kredins Bank”, Grigor Jori dhe Armand Sharra të “Infosoft Systems” për pajisje me qira, platforma “inteligjencë artificiale” dhe shërbime teknologjike që mund të bliheshin me kosto shumë më të ulët.
Një nga numëruesit, që kërkon të mbetet anonim, denoncon për Publik.al:
“Kam qenë anëtare e komisionit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve dhe deri tani nuk na është kryer pagesa për punën e bërë. Kanë kaluar disa muaj dhe nuk kemi marrë asnjë informacion mbi arsyen e vonesës apo datën e pagesës. Ju lutem bëjeni publik këtë çështje që të marrim përgjigje dhe të reagojnë institucionet përkatëse.”
Kjo është një situatë absurde dhe fyese për qytetarët që kontribuojnë në proceset demokratike. Kur bëhet fjalë për kontrata të majme për miqtë dhe klientelën politike, fondet gjenden brenda ditës. Kur bëhet fjalë për pagat e njerëzve që garantojnë zgjedhjet, nuk ka para, nuk ka përgjigje dhe nuk ka transparencë.
Pyetja është e qartë: A është KQZ një institucion për të garantuar zgjedhje të ndershme, apo një “shtëpi tenderash” ku paratë publike qarkullojnë në duar të njëjta, ndërsa punonjësit realë mbeten pa pagesë?
Publik.al do të ndjekë hap pas hapi këtë çështje, duke kërkuar llogari për çdo qindarkë të shpenzuar dhe për çdo pagesë të vonuar, derisa numëruesit të marrin atë që u takon.






