Ish-bodigardi i Ramës u bë shef Rendi
Një tip me kapele dhe veshje civile firmato kishte vënë një shenjë policie mbi kostumin me kapuç u pa tek dhunonte dhe ushtronte terror ndaj protestuesve në Rrjoll, që kishin dalë të protestonin kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt në tokat e tyre. Ky cub apo më mirë të themi bandit pa uniformë policie u identifikua si Armand Muça.
Më heret ky polic është bërë subjekt reagimesh të forta pas përplasjesh me protestues, në Rrjoll, Velipojë, dhe më herët në Elbasan.

Sipas pamjeve dhe dëshmive të shpërndara në rrjet, Muça i veshur me bluzë me kapuç dhe pa shenja dalluese policie, është filmuar duke bërtitur dhe duke goditur qytetarë që kishin dalë në protestë kundër resortit të biznesmenit Bashkim Ulaj në zonën e Rrjollit.
Efektivi në fjalë raportohet se ka shërbyer për një kohë të gjatë si truprojë e kryeministrit Edi Rama. Fotot e publikuara më parë e tregojnë atë në shoqërinë e kryeministrit, si pjesë e stafit të sigurisë.




Nga truprojë në krye të Rendit
Pas emërimit si shef i Rendit në Elbasan, Muça kishte përkrahjen e bandës së Elbasanit. Ai ka qenë objekt kallëzimi në prokurori nga AMP. Muça është përfshirë në disa situata tensioni me protestues. Ai është përmendur edhe në përplasjet e ndodhura në njësinë administrative Labinot-Fushë, ku protesta për ardhjen e Ramës degjeneroi në konfrontime mes policisë dhe banorëve.
Sipas denoncimeve nga qytetarë dhe të shpërndara gjerësisht online, Muça ka qenë ndër efektivët më aktivë në ndërhyrjet fizike ndaj protestuesve. Në disa raste ai përshkruhet si i armatosur dhe me sjellje agresive ndaj turmës, çka ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale.
Ai është identifikuar edhe në protesta të mëparshme në zonën e Bradasheshit, ku, sipas dëshmive të banorëve, ka pasur përplasje fizike me qytetarë.
Reagime dhe pikëpyetje
Rasti ka ngritur debat publik mbi figurën e një drejtuesi policie me të kaluar si truprojë politike dhe me akuza për dhunë ndaj qytetarëve gjatë protestave.
Pyetja që shtrohet nga shumë prej reagimeve është:
A duhet një person me këtë profil dhe me këto akuza të mbajë post drejtues në Policinë e Shtetit dhe të përfaqësojë rendin publik?






