SPAK kthen “Land Rover Defender” tek Endri Merkaj: Sekuestrim i gabuar, targa e falsifikuar dhe misteri i makinës së rrëmbimit të Gerond Meçes

Publik.al ka siguruar dokumentet zyrtare të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), me të cilat në datën 20 janar 2026 është urdhëruar kthimi i automjetit tip “Land Rover Defender” me targë “AC 121 JJ” tek pronari i ligjshëm, shtetasi Endri Merkaj.

Vendimi vjen pas një sekuestrimi të kryer me urgjencë në muajin dhjetor 2025, në kuadër të hetimeve për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, ku dyshohen Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të dy aktualisht të shpallur në kërkim nga SPAK.

Sekuestrim me urgjencë, por i gabuar

Sipas burimeve hetimore , automjeti në pronësi të Endri Merkaj u sekuestrua më 15 dhjetor 2025, pasi prokurorët krijuan bindjen se ishte i njëjti mjet që shfaqej në pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ku dukej momenti i hipjes së biznesmenit Gerond Meçe në një “Land Rover Defender”.

Megjithatë, pas kryerjes së një ekspertize krahasuese të detajuar mbi tabelat fotografike dhe pamjet filmike, rezultoi se mjeti i sekuestruar nuk ishte i njëjti me atë të përdorur në rrëmbimin e 12 gushtit 2025.

Ekspertiza nxori disa dallime thelbësore:

  • Tapiceria e brendshme e dy mjeteve kishte ngjyra të ndryshme.
  • Gomat nuk ishin të njëjta.
  • Kishte ndryshime në kubaturën e jashtme të automjeteve.
  • Elemente të tjera strukturore rezultonin të papërputhshme.

Të vetmet ngjashmëri që çuan në sekuestrimin e mjetit të Merkaj ishin:

  • Ngjyra e njëjtë,
  • Tipi i njëjtë i makinës (“Land Rover Defender”),
  • Dhe përdorimi i targës “AC 121 JJ”.

Dyshime për targë të falsifikuar

Nga hetimet ka rezultuar se targa “AC 121 JJ”, e regjistruar në pronësi të Endri Merkaj, dyshohet se është falsifikuar dhe vendosur në mjetin e përdorur nga autorët e rrëmbimit, për të krijuar konfuzion dhe për të devijuar hetimin.

Në dokumentin e SPAK, që Publik.al disponon, argumentohet:

“…ka rezultuar se gjatë verifikimit procedurial është realizuar këqyrja e mjetit nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga i cili nuk ka rezultuar të dhëna me interes për hetimin. Vlerësohet se ky send nuk është më i domosdoshëm për t’u mbajtur nga ana jonë, e për këtë arsye çmojmë se ai duhet t’i kthehet pronarit të ligjshëm dhe konkretisht automjeti ‘Land Rover Defender’ me targa ‘AC 121 JJ’… t’i kthehet pronarit të saj, shtetasit Endrit Merkaj.”

SPAK pa makinë dhe pa pronar

Pas kthimit të mjetit, SPAK aktualisht nuk ka asnjë automjet të sekuestruar në këtë dosje dhe, më problematikja, nuk ka një lokacion të qartë për makinën reale të përdorur në rrëmbim, as identitetin e pronarit të saj.

Prokuroria ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit, për të identifikuar pronarë të tjerë që zotërojnë mjete të ngjashme me atë të përdorur në rrëmbimin e Gerond Meçes.

Rrëmbimi në mes të Tiranës

Ngjarja e 12 gushtit 2025 tronditi opinionin publik. Biznesmeni Gerond Meçe, pronar i kompanisë Advanced Business Solutions (ABS), u rrëmbye në mes të Tiranës nga katër persona që, sipas deklarimeve të tij, u prezantuan si oficerë të BKH-së dhe SPAK-ut.

Katër personat janë filmuar nga disa kënde të ndryshme nga kamerat e bizneseve përreth. Ata shfaqen pa maska, vetëm me kapele në kokë. Fytyrat e tyre duken qartësisht të dallueshme.

Megjithatë, pavarësisht pamjeve të qarta filmike:

  • Ata nuk janë identifikuar,
  • Nuk janë arrestuar,
  • Dhe nuk ka asnjë informacion publik mbi ecurinë konkrete të identifikimit të tyre.

As informatorët e Policisë së Shtetit, as ata të Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së nuk kanë prodhuar një rezultat konkret.

Pyetjet që mbeten

  • Pse ka kaq vonesë në identifikimin e katër personave, kur fytyrat e tyre janë të dokumentuara në kamera?
  • Kush është struktura apo individi që garanton paprekshmërinë e kësaj “skuadre”?
  • A kemi të bëjmë me një operacion të organizuar me mbështetje të brendshme?

Ndërsa një mjet u sekuestrua gabimisht dhe u kthye me vendim zyrtar, makina reale e përdorur në rrëmbim mbetet në hije. Dhe bashkë me të, edhe e vërteta e plotë e kësaj dosjeje.