HilMazhoranca përzgjedh tre emrat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë / Debat për kandidaturën e Holta Zaçajt
Mazhoranca në Kuvend ka përzgjedhur tre emrat që do të propozohen për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Selami Xhepa, Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu.
Vendimi vjen në një moment politik të ndjeshëm dhe ka hapur diskutime mbi mënyrën se si po realizohet rotacioni i figurave të larta institucionale në vend.
Emri që ka tërhequr më shumë vëmendje është ai i Holta Zaçajt, e cila vetëm pak muaj më parë përfundoi mandatin si latestetare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Kalimi i saj drejt organit më të rëndësishëm mbikëqyrës financiar në vend shihet nga analistë si një lëvizje me peshë politike, duke ngritur pyetje mbi kufijtë mes meritokracisë dhe ndikimit të shumicës parlamentare në emërimet e nivelit të lartë.
Debati për emrin e saj lidhet edhe me mënyrën se si u mbyll periudha në Gjykatën Kushtetuese. Zaçaj këmbënguli të qëndronte në detyrë edhe pas përfundimit të mandatit, duke argumentuar interpretimin e afateve ligjore. Kjo situatë shkaktoi ngërç institucional dhe përplasje mbi funksionimin normal të Gjykatës, deri në kërkesën për interpretim nga Komisioni i Venecias.
Në prezantimin para Komisionit të Ekonomisë, Zaçaj theksoi nevojën për forcimin e rolit të Këshillit Mbikëqyrës si garant i misionit ligjor të Bankës së Shqipërisë, duke vënë theksin te balanca mes pavarësisë institucionale dhe transparencës së llogaridhënies, si dhe te mbrojtja e konsumatorit financiar.
Ndërkohë, Selami Xhepa, ekonomist me karrierë të gjatë akademike, u fokusua te sfidat që lidhen me format e reja të parasë dhe nevojën për një kuadër rregullator më dinamik, duke theksuar rolin e bankës qendrore në mbrojtjen e konsumatorit.
Kandidatja e tretë, Matilda Shehu, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, vendosi theksin te krijimi i institucionit të ombudsmanit financiar dhe fuqizimi i standardeve ESG në sistemin bankar.
Procesi vjen pas përfundimit të mandateve shtatëvjeçare të gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës në dhjetor. Kuvendi hapi procedurën në nëntor 2025, ku aplikuan 20 kandidatë dhe 18 prej tyre u paraqitën në seancat dëgjimore.
Megjithatë, përtej profileve profesionale, debati politik është përqendruar te simbolika e përzgjedhjes. Emërimi i një ish-kryetareje të Gjykatës Kushtetuese në një institucion kyç financiar shton pikëpyetjet mbi ndikimin politik në institucionet e pavarura.
Pyetja që shtrohet është më e gjerë se një emër konkret: kemi të bëjmë me një rotacion normal brenda elitës administrative, apo me një model ku karrierat e figurave të larta rikonfigurohen brenda ciklit politik?
Mazhoranca ka deklaruar se zgjedhjet janë bërë mbi bazën e profilit profesional. Por në korridoret e politikës, flitet se orientimi është i qartë dhe votat pritet të konsolidohen rreth emrit të Holta Zaçajt.
Vendimi final do të merret në seancë plenare.






