Gerond Meçe në momentin e pengmarrjes nga Gys Agasi, pastaj PENGU QË U KTHYE NË PENGMARRËS

420 mijë euro për “kadastrën e vreshtit

Ndërsa hetimet për skandalet e tenderëve të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) vijojnë të prodhojnë valë tronditëse në administratë, një emër që përflitet prej kohësh si “viktimë anësore” rezulton të jetë ndër përfituesit më të mëdhenj të kontratave publike: biznesmeni Gerond Meçe.

Një procedurë e fundit, me objekt “përmirësimi i sistemit të menaxhimit të informacionit të kadastrës së vreshtit”, me fond limit 41,666,660 lekë (rreth 420 mijë euro), është shpallur fituese nga kompania Advanced Business Solutions – ABS, e lidhur me Meçen. Kontrata mban datën 3 shkurt 2026.

“Përmirësim sistemi” apo vazhdim i një skeme?

Objekti i tenderit ngre pikëpyetje serioze. Nuk bëhet fjalë për ngritje nga e para të një sistemi, por për “përmirësim” të një platforme ekzistuese. Praktikë që, sipas ekspertëve të IT-së të konsultuar nga redaksia, përdoret shpesh për të justifikuar kontrata të përsëritura me të njëjtin operator.

ABS, me seli në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë, rezulton të jetë ndër përfituesit kryesorë të fondeve të AKSHI-t ndër vite. Sipas të dhënave të hulumtuara nga redaksia, kompania ka arkëtuar rreth 40 milionë euro nga kontrata publike në vitet e fundit, shumica në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Dhurimi i aksioneve: lëvizje mbrojtëse?

Në maj 2025, në kulmin e hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t, Gerond Meçe i dhuroi aksionet e ABS nënës së tij, 75-vjeçares Shegush Meçe. Administrimi i kompanisë, megjithatë, mbeti në të njëjtën dorë.

Ky veprim është interpretuar nga burime pranë hetimit si një tentativë për të distancuar figurën e tij nga kompania, në një kohë kur Byroja Kombëtare e Hetimit po verifikonte procedurat e dyshuara për paracaktim fituesish.

Burime zyrtare konfirmojnë se referime për “marrëveshje paraprake” apo favorizime në tenderët e AKSHI-t kanë mbërritur në organet ligjzbatuese.

Nga ABS tek AIBS: qarkullim milionash

Paralelisht, Meçe rezulton themelues i një kompanie të dytë, “Artificial Intelligence Business Solutions” (AIBS). Sipas dokumenteve tatimore të siguruara nga redaksia, nga ABS drejt AIBS janë transferuar rreth 15 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit.

Në bilancin e dorëzuar në qershor 2025, AIBS deklaron fitim 630 mijë euro dhe shpërndarje dividenti 1.7 milionë euro nga fitimet e mbartura. Pavarësisht se nuk rezulton fituese e tenderëve publikë, kompania ka xhirime të konsiderueshme.

Ekspertë financiarë të kontaktuar nga Publik.al theksojnë se kalimet e vazhdueshme të fondeve mes kompanive të lidhura janë indikatorë klasikë që kërkojnë hetim të thelluar për të përjashtuar dyshimet mbi pastrim parash.

Dosja që nuk mbyllet

Në të njëjtën dosje përmenden edhe emra të tjerë si ish-nëndrejtori Daniel Shima dhe ish-drejtues të AKSHI-t, ndërsa disa prej tyre janë përballur tashmë me masa hetimore.

Megjithatë, ndërkohë që hetimet vijojnë, kontratat publike nuk janë ndalur.

Tenderi i “kadastrës së vreshtit” është vetëm episodi i fundit në një seri procedurash ku fituesi duket i njëjti. Nëse SPAK do të arrijë të zbardhë rrjetin e plotë të transaksioneve dhe lidhjeve financiare, mbetet për t’u parë.

Një gjë është e qartë: ndërkohë që drejtësia lëviz me ritme të ngadalta, milionat e buxhetit publik vazhdojnë të qarkullojnë me shpejtësi.