Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për dy të pandehur të akuzuar për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për gjykimin e procedimit penal nr.108 të vitit 2024.

Gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, ndërsa vendimi u shpall më 10 shkurt 2026 nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj.

Dënimi për Gëzim Bakallin

I pandehuri Gëzim Bakalli, i njohur edhe me aliasin Shkëmbim Cërmanji, u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë trafikimin e narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, drejtimin e grupit kriminal dhe falsifikimin e dokumenteve.

Gjykata vendosi:

  • 18 vjet burg për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit kriminal

  • 4 vjet burg për drejtim të grupit të strukturuar kriminal

  • 1 vit burg për falsifikim dokumentesh

  • 1 vit burg për falsifikim pasaportash dhe letërnjoftimesh

  • 1 vit burg për falsifikim të akteve të gjendjes civile

Në bashkim të dënimeve, gjykata caktoi një dënim të vetëm prej 19 vitesh burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar në 12 vjet e 8 muaj burgim, që do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.

Dënimi për Erjon Locin

I pandehuri Erjon Loci u shpall fajtor për prodhim dhe shitje narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal.

Gjykata vendosi:

  • 12 vjet burg për prodhim dhe shitje narkotikësh

  • 2 vjet burg për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal

Në bashkim të dënimeve u caktua një dënim i vetëm prej 12 vitesh burg, i cili pas uljes me 1/3 për gjykimin e shkurtuar u konvertua në 8 vjet burgim, që do të vuhet në burg të sigurisë së lartë, duke nisur nga dita e arrestimit.

Provat dhe shpenzimet

Gjykata urdhëroi që dokumentet dhe pajisjet e sekuestruara të mbeten në fashikullin e një procedimi të ndarë penal, ndërsa dokumentet e falsifikuara, përfshirë pasaporta dhe karta identiteti, të asgjësohen sipas ligjit.

Shpenzimet procedurale dhe gjyqësore, në shumën 43,630 lekë, u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.