Janë publikuar pamjet nga grabitja e ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte në zonën e 5 Majit në Tirana, ku një pikë këmbimi valutor u vodh brenda qendrës tregtare Concord Center.

Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, autori – i cili ende nuk është identifikuar – hyn në ambientet e pikës së këmbimit dhe i drejton armën punonjëses, duke e detyruar të dorëzojë paratë.

Nga videoja duket se grabitësi kishte veshur një jelek të zi dhe një xhup blu me kapuç, ndërsa lëvizjet i kryen me shpejtësi për të shmangur identifikimin. Pasi merr shumën e parave, ai largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke dalë nga ambientet e qendrës tregtare.

Ende nuk është e qartë se si autori ka mundur të hyjë i armatosur brenda qendrës tregtare. Ndërkohë, policia ka ngritur disa pika kontrolli në zona të ndryshme të qytetit dhe po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Dyshohet se nga grabitja është marrë një shumë prej rreth 1.2 milionë lekësh të vjetra.