Një përplasje e fortë po zien mes Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për shkak të ndërhyrjeve në dosjet hetimore të hartuara nga agjentët e BKH-së. Burime të brendshme raportojnë për manipulim sistematik të provave dhe dokumenteve nga disa prokurorë të SPAK, me qëllim mbrojtjen dhe lehtësimin e akuzave për figura të larta politike dhe ekonomike.
137 dosje me prova të manipuluara
Sipas burimeve, nga viti 2022 deri në fund të vitit 2024, hetuesit e BKH kanë dorëzuar 137 dosje, të cilat përfshijnë emra të njohur si politikanë, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, biznesmenë dhe figura të botës së krimit. Në këto dosje, prokurorët e SPAK kanë hequr prova të rëndësishme, duke minimizuar akuzat ose duke i pushuar hetimet.
Një ndër rastet më të bujshme është ai i Ilir Beqajt, ish-ministri i Shëndetësisë, ku dëshmitë dhe dokumentet e rëndësishme janë hequr nga akt-akuzat. Ndërhyrje të ngjashme janë konstatuar edhe në çështjet që përfshijnë Pëllumb Salillarin dhe pasuritë e dyshimta të vëllait të Fatmir Xhafajt.
Denoncimet nga BKH dhe heshtja e SPAK
Drejtuesja e BKH-së, Aida Veizaj (Hajnaj), ka informuar disa herë drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, për manipulimet që kryhen nga prokurorët. Takime dhe raportime janë bërë në mars 2023, shkurt 2024 dhe shtator 2024, por ende nuk ka asnjë reagim konkret nga Dumani për të ndalur këtë fenomen.
Në disa raste, prokurorët kanë pretenduar se hetuesit e BKH-së kanë kryer hetime të mangëta dhe jo profesionale, ndërsa e vërteta tregon se këta hetues janë trajnuar nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë FBI, EUROPOL dhe agjenci të tjera të specializuara.
SHBA kërkon ndërhyrje pas informimit nga BKH
Përballë heshtjes dhe mosveprimit nga SPAK, BKH i është drejtuar partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në. Veizaj ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për të garantuar integritetin e dosjeve dhe për të parandaluar dështimin e drejtësisë.
Ky është një zhvillim i rëndë për një institucion si SPAK, i cili ishte projektuar për të qenë simbol i reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Ndërhyrjet klienteliste dhe preferenciale në dosje tregojnë se rrjeti i pushtetit dhe korrupsionit ka arritur të depërtojë edhe në organet më të larta të drejtësisë.
Kërkohet hetim i pavarur
Rasti i konfliktit mes BKH dhe SPAK shton shqetësimet për funksionimin e drejtësisë në Shqipëri. Kërkohen hetime të pavarura për rolin e prokurorëve të akuzuar për manipulim dhe mbrojtjen e integritetit të hetimeve që kanë bërë agjentët e BKH-së.
Për më tepër, ndërhyrja e partnerëve ndërkombëtarë mund të jetë një hap i domosdoshëm për të rivendosur besimin te drejtësia dhe për të ndëshkuar ata që e sabotuan atë. Shqiptarët presin veprime konkrete dhe transparencë, jo më justifikime dhe heshtje.






