Prej vitit 2020, laboratorët mjekësorë në spitalet universitare, rajonale dhe lokale i janë dhënë me koncesion oligarkut shqiptaro grek Janis Karathano për një periudhë 10-vjeçare. Ky koncesion i është dhënë një konsorciumi firmash, “Laboratory Networks”, me seli në Shqipëri, Holandë dhe Francë, për një vlerë totale prej 130 milionë eurosh. Sipas marrëveshjes, spitalet janë të detyruara të ndihmojnë firmën koncesionare, pavarësisht se shërbimi është privatizuar.
Megjithëse koncesionari ka një hetim mbi kurriz dhe një raport të fortë të KLSH-së, ai vijon aktivitetin, duke u paguar vit pas viti. Madje të gjitha spitalet bëjnë herë pas here tendera për t’a “ndihmuar”.
Këtu përmendim rastin e Spitalit Rajonal të Beratit, i cili ka hapur një tender në shërbim të laboratorëve. Drejtori Arben Konomi ka hapur procedurën me objekt “blerje materialesh konsumi laboratorik dhe alkool mjekësor”. Loti i parë është blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik për Kuçovën. Loti i dytë është “blerje tubave/sistemeve të marrjes së gjakut (në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve). Loti i tretë është për blerje materiale për marrjen e mostrave të anatomisë patologjike, sërish në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve. Loti i katërt është blerje alkool mjekësor. Fondi për të katërt lote është rreth 100 mijë euro, së bashku e TVSH-në, teksa kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është 12 muaj nga lidhja e marrëveshjes kuadër.
Koncesioni ka nxitur një paradoks, pasi spitalet e varfra, të cilat kanë mungesë fondesh, janë të detyruara të ndihmojnë një firmë që regjistron fitime të mëdha vit pas viti. Spitali Rajonal i Beratit thote se ka marrë disa udhëzime edhe në janar 2025, dërguar në formë elektronike me datë 29 janar 2025 nga Ministria e Shëndetësisë “për lejimin e prokurimit për blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik”.
Në këto rrethana, natyrshëm lind pyetja se si mund të “detyrohen” këto spitale të ndihmojnë këtë firmë koncesionare e cila në vitin 2023, shpalli një fitim prej 1.5 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2022 kishte një fitim prej 1.2 milionë eurosh. Po ashtu, një nga aksionarët, LABOPHARMA, ka deklaruar një fitim prej 3.3 milionë eurosh për vitin 2023.
Vlen të thuhet se oligarku Janis Karathano ka fituar miliarda lekë me tenderat e shëndetësisë falë ministrave rilindas ndër vite të cilët kanë shërbyer si sekserë të ndarjes së parave të popullit madje deri edhe në nivelet më të ulëta të nëndrejtorëve në të gjitha institucionet e shëndetësisë, pa përmendur këtu përqindjet e pallogaritshme të “të mëdhenjve”.






